IGBALLI I JASHARËVE
Shkruan: Agron Gashi
Ky është Igball (Bashkim) Jashari, pinjoll i familjes së Adem Jasharit, studenti që sot kreu provimin me sukses, pikërisht në 25-vjetorin e lirimit të objekteve të Universitetit të Prishtinës, të cilat ishin të uzurpuara nga pushteti serb dhe në krye kishin vendosur rektorin e dhunshëm, famëkeqin Radivoje Papoviq.
Sot, Igaballi, krejt qetë, pothuaj pavërejtshëm, me një thjeshtësi të pazakontë, bashkë me studentë të tjerë, hyri në provim.
Kur përfunduan procedurat e vlerësimit, meqë nuk ishin shumë studentë, i pyeta se nga ishin dhe si quheshin. Ai me një lehtësi krejt të zakonshme më tha se ishte nga Prekazi.
Asnjë fjalë më shumë. Pas insistimit tim, meqë edhe mbiemri i tij më asocionte me familjen ikonë, ai me qeshje të butë dhe krejt modest, ma konfirmoi shkurt:
“Jam i tyne”.
Igballi nuk erdhi si djalë i një familjeje emblematike, as si nip i një legjendari, as si bir Komandanti, ani pse i denjë për një trashëgimtar në emër e mbiemër, por si një student i përkushtuar dhe plot edukatë.
Vërtet një shembull se si duhet të ndahet atdhesia me edukimin, ani pse për ne historikisht asnjëherë nuk kanë qenë komponenta të ndara.
Dhe, nuk kisha se si të mos e kujtoja, familjen e tij, emrin e tij, të trashëguar nga Igball Rifat Jashari (13) dhe Igballe Rifat Jashar (11), të cilët u vranë në sulmin e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998.
Dikur, në moshën e tij, bashkë me moshatarët e mi kalonim pranë këtyre objekteve universitare si nëpër një endërr të keqe, me dinjitet të lënduar madje herë- herë edhe të fyer keq nga ‘kauboj’ serbë, të cilët të dehur e të droguar tymosnin në shkallët e fakultetit, shanin dhe këndonin këngë nacionaliste serbe.
Fati a igballi i Jasharëve, ishte fat për ne.
Ata, me fatin dhe tragjedinë e tyre, i dhanë vulë fatit tonë.
Prandaj, në këtë ditë simbolike, Igball Jashari është shembulli më i mirë i triumfit të sakrificës dhe rezistencës nacionale.
Kënaqësi dhe nder që njoha këtë djalë të denjë, Igballin e Jasharëve!