IHMK-ja paralajmëron vërshime në Dukagjin
Sektori i Hidrologjisë i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës ka njoftuar për mundësinë e vërshimeve për shkak të të reshurave të mëdha që do përfshijnë vendin në ditët në vijim.
Sipas këtij njoftimi, reshjet e shiut të filluara nga data 05/11/2019, fillimisht në pjesën perëndimore, gjatë orëve të pasdites kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit por me intensitet më të ulët.
“Duke filluar nga dita e sotme 06/11/2019, fillimisht në pjesën perëndimore të Kosovës (zona e Alpeve Shqiptare) kanë vazhduar reshje të shiut me intensitet të ulët deri në mesatarë, të cilat gjatë ditës do të përfshijnë edhe pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit. Ndërsa duke filluar nga data 07/11/2019, reshjet e shiut do të përfshinë pjesën më të madhe të Kosovës, me intensitet më të lartë në Dukagjin”, thuhet në njoftimin e Sektorit të Hidrologjisë të IHMK-së.
Më tej në njoftim thuhet se mund të paraqiten vërshime të shpejta nga disa lumenj/rrëke, kryesisht me karakter malor. Ndërsa përmbytje fushore nga lumenjtë mund të ketë në disa segmente të tyre, gjatë orëve dhe ditëve ne vijim.
“Kjo situatë mundë të paraqes vështirësi në qarkullimin rrugore, me mundësi rrëshqitje të dheut si dhe vërshime urbane në disa zona. Reshjet e shiut pritet qe të ndërpriten gjatë orëve të pasdites së datës 08/11/2019”, ka përfunduar njoftimi i Sektorit të Hidrologjisë të IHMK-së.