III. Ndihmesat në fushë të studimeve gjuhësore
Prof. asoc. dr. Myrvete Dreshaj-Baliu
Prof. dr. Begzad Baliu
Pikëpamjet e profesor Rexhep Qosjes për Albanologjinë (2)
Në fushën e kërkimeve dhe të studimeve gjuhësore, theksonte profesor Qosja, në projektin e tij – ndihet nevoja të vazhdojmë mbledhjen e leksikut dhe të frazeologjisë popullore, (…) dhe si përfundim i kësaj pune duhet të dalin fjalori dialektor dhe atlasi dialektologjik i të folmeve shqipe në tërësi. Është e kuptueshme që projekti i profesor Qosjes në këtë kohë nuk parashihte kërkime më të specializuara në fushë të gjuhësisë. Gjuhësia shqiptare në Kosovë ishte në fillimet e saj. Institucionet sapo ishin formuar. Kishte studiues mjaft të përkushtuar për kërkime në teren, por shumica prej tyre kishin përgatitje shkencore modeste. Pasuria më e madhe gjuhësore gjendej në teren, ku deri më tash kishim kryesisht hulumtues të rastit, ndërkohë që pasuria gjuhësore po shteronte me kalimin e kohës. Megjithëse i përkushtuar dhe i specializuar në fushë të letërsisë, në këtë rrjedhë nuk do të lë gjë mangut edhe vetë. Në veprimtarinë e tij letrare dhe sidomos shkencore e publicistike është e vështirë të gjesh një vepër të vetme në të cilin nuk gjen një kapitull mbi gjuhën e kritikës, gjuhën e shkencës, të publicistikës a të strukturës së saj. Në periudhën e parë hyjnë kontributet e tij shumë të veçanta në fushë të standardizimit të shqipes letrare ndërmjet viteve 1968-1972, si dhe studimi i tij Përgjegjësia gjuhësore e shkrimtarit, i cili solli pikëpamje moderne në diskutimet e gjera që bëheshin në prag të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972). Po në këtë kohë do vlerësuar angazhimi i tij konkret për organizimin e Kongresit dhe botimin e materialeve të tij në Prishtinë, ndërsa kulmi i këtyre angazhimeve paraqitet në fillim të viteve ’80 kur ai solli analizat e para të lidhura me të nxënit e shqipes standarde në fushë të kulturës dhe të shkencës së gjuhësisë e të terminologjisë së saj.
Mjafton të shihen disa prej aspekteve a çështjeve që ka trajtuar në sprovën Tri mënyrat e shkrimit shqip (përgatitur për botim më 1979, por botuar e plotë dy dekada më vonë), për të kuptuar kritikën e tij rreth nocioneve, termave e togfjalëshave që përdoreshin në shkencën e letërsisë, si: Gjuha zmadhuese, gjuha zmadhuese mbizotëruese stilistike, gjeneza teorike dhe kulturore e gjuhës zmadhuese, gjuha zmadhuese si gjuhë normative, zmadhimi si mjet gjuhësor, gjuha zmadhuese si gjuhë e fetish – fjalëve, gjuha zmadhuese si gjuhë maskuese, gjuha zmadhuese si gjuhë mitomanike, gjuha zmadhuese si gjuhë dogmatike etj. Në një nga studimet e tij gjithashtu me përmasa teorike dhe konceptuale Gjuha zmadhuese dhe terminologjia e saj, ai merret me çështjet e veçanta, si gjuha dhe metagjuha, mangësia e termave, vërshimi i termave, fjalët e huaja, termat dhe zhargonet, duke e mbyllur trajtesën e tij me vërejtjen mbi kulturën e gjuhës, si kusht i funksionit kulturor të shkencës. Po i kësaj natyre është edhe studimi i kësaj kohe me titull Gjuha zmadhuese dhe gramatika, në të cilën veç tjerash trajtohen edhe çështjet: kur fjala s’është në vendin e vet, zmadhimi dhe përpikëria, kur gramatika s’e sundon fjalën, gramatika e cenuar, kur barbarizmat përdoren barbarisht etj. Prej kumtesave, analizave dhe studimeve shkencore, në të vërtetë prej nocioneve, termave dhe koncepteve që diskuton, si dhe prej kritikës ndaj dobësive që shfaqeshin në jetën letrare dhe sidomos shkencore dhjetë vjet pas mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, nuk është vështirë të shihet përkushtimi i tij intelektual dhe shkencor, ndaj gjuhës shqipe dhe kulturës gjuhësore. Prej temave dhe mendimeve që i botonte në shtypin ditor, shkencor dhe i diskutonte në konferencat shkencore nuk është vështirë të shihen angazhimet e tij për gjuhën letrare dhe përvetësimin e saj, për gjuhën letrare dhe vështirësitë që duhej tejkaluar për përvetësimin e saj, për gjuhën letrare dhe vetëdijen kulturore, për gjuhën letrare dhe gjuhësinë e zbatuar, për gjuhën letrare dhe institucionet arsimore dhe shkencore në Prishtinë, për çështjet që pritej të trajtoheshin në jetën shkencore dhe universitare të kohës, për gjuhën letrare dhe gjuhësinë e zbatuar etj.
Periudhës së dyti i takojnë angazhimet e tij në mbrojtje të albanologjisë dhe të shqipes standarde nga sulmet e shtypit serb pas demonstratave të vitit 1981, si dhe angazhimit dhe mbrojtjes së shqipes standarde nga sulmet individuale a të organizuara të studiuesve e publicistëve shqiptarë pas vitit 1981. Fjala është për studimet, vlerësimet, polemikat dhe kumtesat përkujtimore në shenjë të institucioneve, personaliteteve dhe datave më të rëndësishme që e kanë identifikuar gjuhën shqipe si gjuhë historike dhe e kanë bërë gjuhë moderne, të botuara kryesisht në veprat Ligjërime paravajtëse (1996), Fjalor demokratik (1997), Ideologjia e shpërbërjes (2006), Rilindja e dytë (2007), Semantika e ndryshimeve historiko-letrare (2009) etj.
Fjala është për artikujt, polemikat dhe çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe dhe historinë e saj, por në mënyrë të veçantë për shqipen standarde dhe mbrojtjen e saj. Janë një varg sprovash kulturologjike për gjuhën e njësuar letrare, ndasitë dialektore dhe gjuhën e njësuar letrare, rënien e kulturës gjuhësore, gjuhën e politizuar, vërshimin e fjalëve të huaja, Mesharin e Gjon Buzukut (315-316) etj., botuar kryesisht në vëllimin Fjalor demokratik (1997). Të kësaj natyre janë edhe studimet në vëllimin Semantika e ndryshimeve historiko – letrare, në të cilin veç tjerash janë botuar studimet me interes nga fusha e gjuhësisë: Wvetari i dytë (1845) i Naum Veqilharxhit – dokument i rëndësishëm i Rilindjes Kombëtare, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe vetëdija kombëtare, Roli i përkthimeve në zhvillimin historik të letërsisë shqipe, Kongresi i Manastirit – marrëveshje e madhe kombëtare etj. Po kaq me interes janë studimet, trajtesat dhe diskutimet e kumtesat e botuara në vëllimin Rilindja e dytë, në të cilën veç tjerash është botuar fjala e tij në simpoziumin shkencor kushtuar tridhjetë vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë, më 11.11.2002: brenda të cilit janë diskutuar probleme të natyrës teorike, sociolinguistike dhe kulturore, sikur janë ato për kontestimet e gjuhës standarde, për zhvillimin e gjuhës standarde, për gjuhën standarde dhe procesin e globalizimit, gjuhën standarde dhe planifikimin gjuhësor etj. Po këtu janë botuar portretet e dijetarëve të gjuhësisë së shekullit XX: Eqrem Çabej – dijetari i madh (99); portreti Idriz Ajeti – një jetë kushtuar gjuhës etj.
Përkushtimin e tij ndaj gjuhës më në fund e dëshmon veç tjerash edhe projektimi i saj në njërën prej monografive më të mira në letrat shqipe Porosia e madhe (Vepra e Naim Frashërit), si dhe në një prej projekteve më të rëndësishme të tij shkencore me karakter historiko-letrar Historia e letërsisë shqipe, Romantizmi I-III.
- Ndihmesat në fushën e studimeve folklorike dhe etnografike
Në fushën e kërkimeve dhe të studimeve folklorike, – shkruante Profesor Qosja (…) duhet të vazhdohet mbledhja e thesarit gojor popullor në terren (…) e mandej, do të duhej të pasojnë studime me karakter më të përgjithshëm që, pos interesit shkencor, do të kenë edhe një përdorim të veçantë praktik nëpër shkolla të larta dhe fakultete, në të cilat studiohet edhe letërsia popullore; ndërsa në një syth më vete merrej edhe me fushën e kërkimeve dhe të studimeve etnografike (…), për të cilën men¬donte se krahas mbledhjes deskriptive të lëndës dhe të të dhënave do të duhej të bëhen edhe studime të problemeve të veçanta drejt hartimit të veprave përmbledhëse sikundër janë fjalori mitologjik, e drejta zakonore, etika patriarkale, veshjet popullore, vallet popullore e të tjera.
Ndryshe nga qëndrimi që ka mbajtur ndaj gjuhës dhe angazhimit të saj për përtrirjen e saj si pjesë e neologjizmave, nocioneve e termave të gjuhësisë, si dhe sjelljes së trajtave të reja fonologjike, gramatikore, sintaksore e leksikore, mbështetur në trashëgiminë e saj, ndaj folklorit mbajti qëndrim më të ngurtë. E kuptueshme. Letërsia shqipe, që nga fundi i periudhës së romantizmit, ende nuk arrinte të çlirohej prej disa prej formave arkaike të saj, ndërsa realizmi socialist ia kishte mundësuar që ajo të folklorizohej edhe më tej. Ata që fillimisht nuk do t’i kuptojnë kritikat e tij ndaj shkrimtarëve të letërsisë kombëtare, sikur ishte Anton Zako Çajupi e ndonjë tjetër; ata që nuk donin të lexojnë a të marrin parasysh kritikat e tij ndaj disa shkrimtarëve të fundvitit 1960, sikur ishte shkrimtari Hasan Hasani, ata që nuk deshën t’i lexojnë a kuptojnë përsiatjet e tij ndaj folklorit dhe sidomos ndaj folklorizmit të studimeve historiko-letrare në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70, do të detyrohen të presin dhe lexojnë vlerësimin e tij Anarkia e kritereve, për veprën e Ismail Kadaresë Autobiografia e popullit në vargje, në të vërtetë, do të detyrohen të presin fundin e viteve ’70 dhe të lexojnë sprovën Manifesti i modernitetit, si dhe të pajtohen me orientimet e tij metodologjike e teoriko-shkencore për Vetëdijen mbi modernitetin si vetëdije mbi tërësinë, në të cilën veç tjerash theksonte se: “Përmbajtja sentimentale, romantike, folklorizante, glorifikimi i veçorive më shumë a më pak të njohura të saj, pavarësisht prej mjetit poetik, nuk lejon modernitetin në krijimtarinë e sotme letrare. (…) Moderniteti, qoftë i letërsisë, qoftë i kritikës së saj, nuk mund të mbështetet në folklorizmin dhe në etnografizmin, në dekoracionin dhe në panagjirizmin, në entuziazmin dhe në sentimentalizmin, sepse moderniteti është fryt i dyshimit mohues e jo i entuziazmit lavdërues.
Le t’i referohemi vetëm njërës prej sprovave të tij të zgjeruara mbi metodat e studimit të folklorit dhe të etnografisë, në të vërtetë të kulturës materiale e shpirtërore të popullit shqiptar, në të cilin theksonte: “studimi i kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit tonë edhe në kontekstin e kulturave materiale dhe shpirtërore të popujve të tjerë evropianë, si kusht i hetimit të modeleve të përbashkëta, në njërën anë dhe i modeleve autentike, origjinave kulturore, në anën tjetër. Popujt e Evropës, gjatë shekujsh, kanë pasur fatin e përbashkët historik dhe kulturor, prandaj edhe kanë krijuar përvoja të njëjta e të ngjashme kulturore, vlera materiale dhe shpirtërore, në të cilat, janë investuar dija, mjeshtëria, prirja, mundi i shumë breznive të tyre. Studimi krahasimtar i këtyre vlerave, por studimi i tyre i çliruar prej egoizmit dhe prej paragjykimeve kombëtare, në të vërtetë pseudokombëtare doemos realizon një prej qëllimeve të rëndësishme shkencore: zgjeron horizontet e dijes në përgjithësi dhe, sidomos, afirmon besimin e arsyeshëm se kultura jonë kombëtare ishte dhe është shumëfish e lidhur me kulturën evropiane, se i takon bashkësisë shpirtërore evropiane. Do ta shikojmë dhe ta studiojmë, ashtu, kulturën dhe historinë tonë edhe në kontekstin e kulturës dhe të historisë evropiane, në radhë të parë me qëllim që ta shohim dhe ta kuptojmë më mirë kulturën dhe historinë tonë. Në të njëjtën kohë, me vënien e çështjeve të historisë dhe të kulturës së popullit tonë në perspektivën vrojtuese evropiane, jo vetëm se zgjerohet dhe thellohet, domethënë pasurohet, vizioni i historisë dhe kulturës sonë si segment integral i historisë dhe i kulturës evropiane, por edhe evitohet shikimi, kur e kur, izolacionist historik dhe kulturor, i aplikuar, ndonjëherë, me shumë pavetëdijshëm se sa vetëdijshëm në studimet albanologjike”. (VIJON)