IKD-ja: Deputetët e pushtetit po e bojkotojnë Kuvendin
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se draft-raporti i titulluar “DOBËT: Raport i monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2022”, pasqyron saktë gjendjen në Kuvendin e Kosovës.
“Kuvendi nuk do të duhej të fillonte punën pa programin për vitin 2022”, ka thënë Miftaraj.
Sipas tij, mungesa e kuorumit është pasojë e mungesës së vullnetit politik të deputetëve për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës, raporton “Betimiperdrejtesi”.
Miftaraj ka thënë se deputetët e pushtetit po e bojkotojnë Kuvendin.
Drejtori ekzekutiv i IKD-së ka kërkuar të bëhet transmetimi i mbledhjeve dhe i seancave në mënyrë që qytetarët të kenë qasje të drejtpërdrejtë në punën e Kuvendit .
Ai ka thënë se edhe mungesa e pajisjeve është mungesë e transparencës, pasi qytetarët nuk e dinë se kush qysh ka votuar në seancë të Kuvendit .
“Është sukses miratimi i Rregullores së Kuvendit, mirëpo ne shohim se kjo rregullore ka probleme. Kryetari e përmendi me shumë të drejtë privilegjet, përgjegjësit, të drejtat e deputetit. Në këtë rregullore keni dështu t’i përcaktoni sanksionet kur deputeti mungon në seancën e Kuvendit”, ka thënë ai.
Miftaraj ka kërkuar të forcohet administrata e Kuvendit të Kosovës në profesionalizimin e saj.
Drejtori ekzekutiv i IKD-së ka kërkuar nga deputetët dhe grupet parlamentare që t’i japin komentet e tyre për draft raportin “DOBËT: Raportin e punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2022”.
Ai ka thënë se nëse komentet do të jenë bindëse, do t’i përfshijnë në raportin final që do të publikohet.