IKD-ja dhe FOL-i: Komisioni i Venecias nuk përkrahu ndryshimet e MD-së për KPK-në
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL, kanë reaguar të mërkurën lidhur me ndryshime e propozuara nga Ministria e Drejtësisë (MD) në Projektligjin e ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ku parashihen t’i shtohen edhe tetë (8) anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi.
“Komisioni i Venecias, në opinionin e publikuar më 18 dhjetor 2023 për Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk i ka mbështetur ndryshimet e reja sa i përket rritjes së përkohshme të numrit të anëtarëve në KPK në 19 anëtarë deri në janar të vitit 2026, ndryshime këto të propozuara me versionin e ri të Projektligjit për KPK, pas ndryshimeve të bëra nga Ministria e Drejtësisë”, është thënë në reagimin e IKD-së dhe FOL-it.
Sipas Projektligjit deri më 11 janar të vitit 2026, KPK-së parashihej t’i shtohen edhe tetë (8) anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi.
“Megjithatë, rritja e përkohshme nuk është përkrahur nga opinioni i 18 dhjetorit 2023 të Komisionit të Venecias, ku ndër të tjera ky opinion thekson se: “Një Këshill prej 19 anëtarësh me kohë të plotë në një shtet me pak më shumë se dyqind prokurorë duket tepër i madh. Megjithatë, nëse kjo është arsyeja, nuk është e qartë se mbi çfarë parimi ligjvënësi propozon rritjen e anëtarësimit në mënyrë kaq dramatike vetëm për ta ulur atë në mënyrë drastike pas vetëm dy vjetësh”, është thënë në këtë reagim.
Kjo nuk është hera e parë që Komisioni i Venecias, sipas këtyre dy OJQ-ve, nuk rekomandon rritjen e numrit të anëtarëve të KPK-së në një vend të vogël si Kosova.
“Njëjtë kishte rekomanduar edhe në opinionin e muajit tetor 2021, lidhur me draft ligjin për KPK-në”, është thënë në reagimin e IKD-së dhe FOL-it.
Komisionit i Venecias, sipas IKD-së dhe FOL-it nuk e ka kontestuar faktin që ka rrezik të korporatizmit në përbërjen aktuale të KPK-së, megjithatë sipas këtij komisioni shtimi i tetë (8) anëtarëve jo-prokurorë në KPK, siç është thënë në reagim, rrit rrezikun e politizimit të këshillit, kjo pasi anëtarët shtesë që zgjidhen nga Kuvendi do të mund të zgjidhen nga shumica qeverisëse.
“Edhe nëse ndryshimi i përbërjes mund të thuhet se është projektuar si një masë e jashtëzakonshme e vetme për të eliminuar kulturën e korporatizmit, një ndryshim i tillë po futet në një klimë polarizimi, do të jetë funksional vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, më pak se dy vjet në skenarin më të mirë), është i mbushur me rreziqe bllokimesh dhe politizimi dhe krijon dyshimin se ‘KPK-ja e zgjeruar’ do t’i nënshtrohet një ndikimi të konsiderueshëm politik përpara se të krijohet “KPK e reduktuar”, është thënë në reagim.
Sipas këtij reagimi, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes komenteve të dërguara në Ministrinë e Drejtësisë (MD) në maj të 2023, kishte paralajmëruar këtë ministri se propozimi i saj ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për sundimin e ligjit dhe vet opinionet e Komisionit të Venecias.
“Pas opinionit të Komisionit të Venecias, IKD-ja dhe FOL-i rekomandon që të merren parasysh rekomandimet dhe konstatimet e dhëna nga opinioni i fundit i Komisionit të Venecias në mënyrë që të mos përsëriten gabime të ngjashme dhe të ketë vonesa të panevojshme, ku potencialisht edhe Projektligji i ri do ta ketë fatin e njëjtë sikurse i kaluari duke mos kaluar filtrin e Gjykatës Kushtetuese nëse dërgohet në këtë të fundit”, është thënë në reagimin e përbashkët të IKD-së dhe FOL-it.