IKD-ja: Disa pika programore të partive janë në kundërshtim me parimet kushtetuese
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka bërë me dije se ka analizuar programet politike të katër partive kryesore në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke u fokusuar te pjesa e programit për sistemin e drejtësisë.
Analiza e IKD-së ka përfshirë LV-në, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, të cilët ndër pjesët kryesore të programeve të partive politike i kushtojnë sistemit të drejtësisë, luftimit të korrupsionit e krimit të organizuar.
“IKD-ja konsideron se shumë pika programore të propozuara nga partitë politike janë në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare, dhe janë të parealizueshme për shkak të rrethanave që nuk varen vetëm nga Kosova, por edhe nga procese të tilla sikurse anëtarësimi në OKB”.
“Pjesë të ‘reformave’ në drejtësi të përfshira në programet e partive politike tashmë janë një realitet në Kosovë, pasi që janë procese që veçse kanë përfunduar, ndërsa shumë pika tjera të programeve të partive politike janë vetëm konstatime të përgjithshme dhe abstrakte që nuk përmbajnë veprime konkrete se si do të arrihen reformat e proklamuara”, është thënë në reagimin e IKD-së.