IKD-ja kërkon dekriminalizimin e politikës
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mbajtur të hënën në Prishtinë tryezën “Si të parandalohet dhe luftohet kriminalizimi i politikës në Kosovë: Zgjidhja përmes rregullimit ligjor apo kodit të etikës?”, si aktivitet i projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në proceset zgjedhore në Kosovë” në kuadër të Koalicionit për Integritet Zgjedhor (KIZ).”
Në këtë tryezë, është publikuar raporti i IKD-së mbi zbatueshmërinë e procedurave standarde të veprimit, në kuadër të organizimit të zgjedhjeve në Kosovë me titull “Dekriminalizimi politikës në Kosovë”.
Pjesë e panelit të kësaj tryeze kanë qenë përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ai i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu, përfaqësuesi i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, përfaqësuesi i Alternativës, Hasan Preteni, ai i Aleancës Kosova e Re (AKR), Vesel Makolli dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.
Në tryezë është thënë se sundimi i ligjit vazhdon të mbetet hallka më e dobët në zinxhirin e shtetndërtimit dhe qeverisjes në Kosovë.
IKD-ja ka vlerësuar se institucionet përkatëse, e sidomos prokuroria e gjyqësori janë duke u përballur me probleme sistematike e të përsëritshme, një prej të cilave vazhdon të mbetet ndërhyrja politike.
“Dhe përkundër gjithë problemeve të sistemit të drejtësisë, pra duke marrë për bazë veç ato pak raste që ky sistem i trajton, fare lehtë krijohet përshtypja se krimi dhe politika bashkëjetojnë në Kosovë. Rastet kur zyrtarët e lartë të shtetit, ditën e punës e fillojnë në gjykatë, në cilësinë e të pandehurit, përpara se të vazhdojnë të qeverisin me vendin, nuk janë të rralla. Aktualisht, janë shtatë ministra, të cilët kanë aktakuza, për të cilat po zhvillohen procedura gjyqësore në gjykata, kryesisht për vepra penale të korrupsionit”, është thënë në njoftimin e IKD-së.
Ky institut ka listuar disa nga rastet ku politikanët kanë qenë për përfshira në vepra të ndryshme penale.
Në këtë drejtim, IKD-ja ka vlerësuar se kriminalizimi i skenës politikë në Kosovë është bërë një çështje brengosëse në Kosovë, veçanërisht që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke u shndërruar në një ‘standard’ të qeverisjes.
/Epoka e re/