![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/01/kushtetuesja-scaled.jpg)
IKD-ja kërkon nga Avokati i Popullit ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Pagat
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar tek Avokati i Popullit kërkesë për fillimin e hetimeve për shkelje të të drejtave të njeriut dhe inicim në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit NR. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.
Përmes kësaj kërkese, IKD-ja ka kërkuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit që sipas kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, ta procedojë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik për vlerësim të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese.
“Me qëllim të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, reagimi i Avokatit të Popullit në këtë situatë është i domosdoshëm. Përmes kësaj letre, IKD-ja kërkon nga Avokati i Popullit që ta trajtojë këtë çështje dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të iniciojë Ligjin NR. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese”, është thënë në kërkesën e IKD-së
Më 22 dhjetor 2022, IKD-ja ka publikuar analizën “Pagat në Sektorin Publik”. Në këtë analizë, gjetjet e IKD-së kanë treguar për probleme serioze kushtetuese të, tanimë Ligjit për Paga në Sektorin Publik.
IKD-ja ka gjetur se ligji cenon sigurinë juridike të nëpunësve të sektorit publik, duke mos përcaktuar vlerën monetare të koeficientëve. Sa i përket uljes së pagave, Ligji ka përcaktuar rregulla adekuate për mbrojtjen e nëpunësve nga ulja e pagave. Por, IKD-ja ka gjetur se ligji i mbron këto rregulla vetëm për të ardhmen, por se nuk i aplikon për të kaluarën. Kjo pasi ligji në fjalë nuk ka një zgjidhje adekuate në raport me nëpunësit e sektorit publik të cilët ndikohen negativisht nga ky ligj.
“Ndonëse ky ligj nuk ka përcaktuar vlerën monetare të koeficientit, nga fryma e përgjithshme e tij, si p.sh. përcaktimi i dispozitave mbi shtesën transitore, dhe nga disa prej raportimeve, shihet një tendencë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ka theksuar IKD-ja.
Me këtë rast, IKD-ja ka tërhequr vëmendjen se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në këtë situatë është në kundërshtim me kërkesat që rrjedhin nga Aktgjykimi nr. KO219/19 dhe në kundërshtim me opinionet e Komisionit të Venecias, të cilat kanë krijuar tashmë praktikë dhe standard ndërkombëtar, në raport me pagat në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.
Në disa raste të tjera, IKD-ja ka gjetur se ligji në fjalë përmban dispozita të cilat paraqesin trajtim të pabarabartë të nëpunësve të sektorit publik, aspekt ky që paraqet shkelje të nenit 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Po ashtu, IKD-ja ka gjetur se ligji përmban dispozita të cilat cenojnë pavarësinë funksionale të sistemit të drejtësisë, i cili cenim paraqet shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.