IKD-ja për bojkotin e LV-së në seancat e jashtëzakonshme: Të largohet nga kjo rrugë kundërkushtetuese
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka vlerësuar se mospjesëmarrja e deputetëve të mazhorancës në tri seancat e fundit të jashtëzakonshme përbën një shkelje të besimit të qytetarëve, detyrave dhe përgjegjësive si deputetë të kuvendit.
IKD-ja ka shprehur shqetësim të thellë për situatë, teksa ka kërkuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, të largohet nga rruga e bojkotit, i cili sipas këtij instituti është kundërkushtetues.
“Kjo praktikë dhe qasje e LV-së është e pazakontë dhe cenon rëndë vlerat demokratike të Republikës se Kosovës. IKD-ja konsideron se debatet parlamentare janë shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe përfaqësimit demokratik, deputetët e shumicës parlamentare e kanë obligim të marrin pjesë në mënyrë aktive në diskutimin e çështjeve që prekin interesat e qytetarëve dhe të shtetit. Bojkoti i seancave parlamentare dëmton jo vetëm integritetin e Kuvendit por edhe injorim ndaj qytetarëve të Kosovës. Deputeti ka detyrimin të respektojë dispozitat kushtetuese dhe ligjin, të cilat përbëjnë bazën e funksionimit të një shoqërie demokratike. Ky obligim e vendos atë në një rol të rëndësishëm, ku veprimet dhe vendimet e tij duhet të reflektojnë vlerat dhe parimet e shtetit ligjor”, është thënë në reagimin e IKD-së.
Ky institut ka theksuar se deputeti duhet të jetë i angazhuar në mbrojtjeve të interesave të qytetarëve.
“Nga Kushtetuta dhe ligji deputeti vepron në përputhje me besimin që i është dhënë nga qytetarët. Ai duhet të jetë i përgjegjshëm ndaj tyre dhe t’i mbrojë interesat e tyre, duke u angazhuar për një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse”, është thënë në këtë reagim.
Më tutje, IKD-ja ka theksuar se bojkoti i deputetëve për çështje ku kërkohet llogaridhënie dhe sqarim të situatave ku deputetët e Kuvendit të Kosovës komunikojnë me persona në kërkim ndërkombëtar për vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës, ulin besimin e publikut në vullnetin politik për shtet ligjor dhe luftim të korrupsionit.
“Kjo qasje padyshim se pengon rrugën integruese të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Po ashtu, IKD-ja shpreh shqetësim për mungesën e vazhdueshme të Kryetarit të Kuvendit në drejtimin e këtyre seancave të jashtëzakonshme. Instituti i Kosovës për Drejtësi bën thirrje që të gjitha partitë politike, pa dallim, të përmbushin detyrimet e tyre që rrjedhin nga Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme dhe obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës dhe vlerave demokratike që Republika e Kosovës i ka marr përsipër në rrugën e saj drejtë integrimit evropian”, është thënë në reagimin e IKD-së.