IKD-ja: Qeveria nuk arriti t’i miratojë as gjysmën e projektligjeve
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka prezantuar raportin me titull “Planifikimi (Jo) adekuat i Qeverisë”, i cili është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe sistematik që IKD-ja i ka bërë Qeverisë së Kosovës në lidhje me përmbushjen e Programit legjislativ për vitin 2022.
Naim Jakaj hulumtues në IKD, ka thënë se deri në fund të vitit 2022, qeveria ka miratuar vetëm 21 koncept dokumente nga 71 sa kishte planifikuar.
Sipas tij, qeveria nuk ka arritur që të miratojë as 30 për qind të koncept-dokumenteve të planifikuara për miratim.
Ndërsa, sipas raportit, në mungesë të planifikimit adekuat, qeveria e ka ndryshuar dhe plotësuar programin legjislativ nëntë herë. Më shumë ka pasur plan mujor sesa vjetor.
“Qeveria gjatë vitit 2022 nuk ka arritur të miratojë as gjysmën e projektligjeve të miratuara duke përmbushur agjendën legjislative vetëm 41.5 për qind, duke miratuar 71 nga 171 projektligje të planifikuara”, ka thënë Jakaj.
Ai ka shtuar se IKD-ja ka gjetur se nga 71 projektligje që qeveria i ka dërguar në Kuvend në shqyrtim të dytë, janë miratuar vetëm 36 prej tyre apo 21.05 për qind./ksp/