IKD-ja: Qeveria të anulojë vendimin e kundërligjshëm për ndarjen e 95.000 eurove
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj vendimit nr. 10/104 të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, më 23 maj 2019, për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 95.000 euro, për hartimin e akteve nënligjore dhe përgatitjet e nevojshme për zbatimin e Ligjeve për Reformën e Administratës Publike.
“Vendimi i lartpërmendur cenon rëndë parimet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë. Nga analiza e IKD-së lidhur me vendimin e lartpërmendur rezulton se Qeveria e Kosovës ka vepruar në kundërshtim me këto parime, duke miratuar një vendim që është në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë, duke dhënë kompensim shtesë për një kategori të caktuar të shërbyesve civil për të kryer detyra dhe përgjegjësi, të cilat i kanë të përcaktuara në ligj dhe kontratën e punës. Për më tepër, lista e personave që përfitojnë nga një vendim i tillë i qeverisë janë kryesisht pozita të larta në shërbimin civil, ku shumica kanë pozitën e drejtorëve apo udhëheqësve të divizioneve apo zyrave tjera në Zyrën e Kryeministrit apo ministrive të caktuara”, është thënë në reagimin e IKD-së.
Sipas këtij instituti, vendimi i Qeverisë është në kundërshtim së paku me dy ligje, Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Ligji për Menaxhimin e Financave Publike.
“Mosreagimi i qeverisë dhe mosanulimi i këtij vendimi do të ketë pasoja juridike që hyn në kuadër të sferës penale, respektivisht shkeljes së dispozitave të Kodit Penal të Kosovës dhe Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik”, është thënë në këtë reagim.
IKD-ja ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe kabineti qeveritar që të reflektojë, duke e anuluar vendimin nr. 10/2014 i datës 23 maj 2019.
Për më shumë lidhur me këtë kërkesë, IKD-ja i është drejtuar me letër zyrtare kryeministrit Haradinaj dhe ministrave të Qeverisë që të reflektojnë mbi këtë vendim të kundërligjshëm, duke e anuluar.
“Nëse kryeministri Haradinaj dhe kabineti qeveritar nuk reflektojnë, ftohen organet e ndjekjes që të zbatojnë obligimet ligjore në drejtim të hetimit të këtij vendimi dhe përfitimeve të kundërligjshme prej tij. Gjeni të bashkangjitur edhe letrën e dërguar kryeministrit Haradinaj dhe kabinetit qeveritar”, është theksuar ndër të tjera në reagimin e IKD-së.
/Epoka e re/