IKD-ja reagon pas emërimit të prokurorëve
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për siç është thënë në reagim integritetin e kontestuar të procesit të emërimit të kryeprokurorëve në Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
IKD-ja ka kërkuar që të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike nga palët në këtë proces që të ndjekin rrugët ligjore për të kthyer mundësinë e zhvillimit të një procesi me integritet për zgjedhjen e kryeprokurorëve.
Ky institut ka vlerësuar se ky proces nuk i plotëson standardet e kërkuara për të siguruar një proces të emërimit të bazuar sipas meritokracisë, publicitetit, respektimit të procedurës së pavarur të ankesave që ndikon në mungesën e besimit të publikut për një proces të drejtë, pavarur dhe të paanshëm.
IKD-ja ka theksuar në reagim se prej fillimit është angazhuar në monitorimin e këtij procesi dhe në ofrimin e ndihmës përmes ekspertizës pro bono për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke ofruar vërejtje, komente dhe rekomandime konkrete për procesin e hartimit të Rregullores për emërimin e kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës.
IKD-ja publikisht ka përshëndetur qasjen dhe bashkëpunimin e ofruar nga KPK lidhur me procesin e hartimit dhe miratimit të kësaj rregullore, i cili proces kishte kaluar përmes konsultimit dhe debatit publik, duke përfunduar me miratimin e saj në mbledhjen e KPK-së më 1 gusht 2019.
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar që të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike nga palët në këtë proces që të ndjekin rrugët ligjore për të kthyer mundësinë e zhvillimit të një procesi me integritet për zgjedhjen e kryeprokurorëve në prokurorinë Speciale të Kosovës dhe atë Themelore në Prishtinë.