IKD-ja: Sistemi i drejtësisë ka dështuar në trajtimin e rasteve e lëndëve të shënjestruara

25 qershor 2019 | 12:59

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, ka publikuar të martën raportin analitik me temën “Dështimet në rastet e shënjestruara”.

Ky raport përfshin gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet lidhur me procesin dhe trajtimin e rasteve të shënjestruara nga sistemi i drejtësisë që nga fillimi i këtij procesi (dhjetor 2015) e deri në maj 2019.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor kanë dështuar në trajtimin e rasteve të shënjestruara.

Sipas Miftarajt, vetë procesi i shënjestrimit nuk ka qenë në përputhje me Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) të miratuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), pasi janë shënjestruar raste të cilat nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara me këto PSV.

Ai thënë se qëllimi i shënjestrimit të rasteve të krimeve të rënda ka pasur për qëllim final konfiskimin e pasurive të përfituara përmes aktivitete kriminale gjë e cila nuk ka ndodhur pasi që nuk ka asnjë rezultat në këtë drejtim.

Ndërkohë Medina Kadriu hulumtuese në IKD ka thënë se prej dhjetorit të vitit 2015 deri në qershor të këtij viti janë shënjestruar 51 raste, në të cilat janë përfshirë 372 persona. “Edhe përkundër faktit se shënjestrimi i rasteve kishte për qëllim trajtimin e këtyre rasteve me prioritet, nga monitorimi dhe hulumtimi i IKD-së rezulton se në mbi 90 për qind të rasteve të shënjestruara gjykatësit shkelin afatet ligjore të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale”, ka theksuar Kadriu.

Sipas saj, joefikasiteti në trajtimin e këtyre lëndëve dëshmohet nga trajtimi i tyre prej dhjetorit 2015 deri në fund të muajit maj 2019, në të cilën periudhë rezulton se vetëm 39 për qind e rasteve apo 15 lëndë kanë përfunduar me aktgjykim përfundimtar, ndërsa 61 për qind apo 23 lëndë të tjera janë akoma në proces në shkallë të ndryshme gjyqësore.

“Nga 23 rastet që janë në proces, (10) prej tyre janë duke u trajtuar në shkallë të parë, nëntë (9) prej tyre kanë përfunduar në shkallë të parë por gjenden në procedurë ankimore, ndërsa katër (4) lëndë të tjera janë kthyer në rigjykim”, ka deklaruar Kadriu.

Ndërsa, Leotrim Gashi, hulumtues në IKD, ka prezantuar pjesën e procedimit të këtyre rasteve të shënjestruara në sistemin gjyqësor.

“Karakteristikë tjetër në trajtimin e këtyre rasteve përbën fakti se shumica e lëndëve të shënjestruara janë duke dështuar që të përfundojnë me aktgjykime dënuese dhe konfiskim të pasurisë. Nga 15 rastet e gjykuara me aktgjykim përfundimtar, ku janë përfshirë 48 persona të akuzuar, 34 persona apo 71 për qind të tyre, janë liruar nga gjykatat, ndërsa 14 persona apo 29 për qind të tyre, janë dënuar. Politika e dënimeve ndaj këtyre 14 personave nuk është adekuate dhe përmes saj nuk arrihet qëllimi i dënimit. Nëntë prej të akuzuarve janë dënuar me burgim efektiv, ndërsa pesë të akuzuar janë dënuar me gjobë”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se se profili i personave të akuzuar në këto raste dominohet nga profili i ulët dhe profili i mesëm, ndërsa ka pak të profilit të lartë. “Për më tepër, në këto 15 raste të përfunduara m aktgjykim të formës së prerë nuk ka asnjë person që i takon profilit të lartë që është dënuar, të gjithë janë liruar”, ka deklaruar Gashi.

Tutje, Gashi ka theksuar se në të gjitha këto raste, pasuria e konfiskuar është zero. “Ka raste kur ka pasur konfiskim të pasurisë në raport me mjetet e kryerjes së veprave penale, të cilat mjete në vetvete paraqesin rrezikshmëri shoqërore. Por, në asnjë rast nuk kemi pasur konfiskim lidhur me veprat penale për të cilat personat e përfshirë në këto raste janë akuzuar apo janë dënuar”, ka thënë ajo.

Në korrik të vitit 2014, KPK-ja kishte miratuar “Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) për Përzgjedhjen e Shënjestrave të Krimeve të Rënda dhe Bashkëpunimin Ndërinstitucional”.

Përmes tyre, institucionet që zbatojnë ligjin në Kosovë synonin që përmes koordinimit dhe bashkëpunimit reciprok të parandalonin, zbulonin, hetonin dhe gjykonin kryesit e veprave më të rënda penale, e që për qëllim final kishin sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar përmes veprave penale.

Një vit pas KPK-së, KGJK, më 30 dhjetor 2015 kishte nxjerrë vendim me të cilin obligonte kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët e çështjeve që të gjitha rastet që vijnë nga prokuroria dhe kanë shenjën “LV” (Liberalizim i vizave), të trajtohen me prioritet absolut.

Prej dhjetorit 2015 deri në qershor 2019, janë shënjestruar 51 raste, ku prej tyre, 36 raste i takojnë natyrës korruptive, ku përfshihen 206 persona, ndërsa 15 raste të tjera ku përfshihen 166 persona i takojnë natyrës së krimit të organizuar apo gjithsejtë 372 persona.

Nga analiza e IKD-së rezulton se mekanizmi për shënjestrimin e rasteve të krimeve të rënda për liberalizimin e vizave vazhdimisht ka shkelur kriteret e përcaktuara në Procedurat Standarde të Veprimit me rastin e shënjestrimin të rasteve.

Shumë lëndë të shënjestruara nuk i plotësojnë krieteret e PSV-ve, ndërsa shumë lëndë, të cilat i plotësojnë kriteret për shënjestrim nuk janë shënjestruar.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka protestuar…