IKD-ja thotë se ka pasur mungesë të transparencës në procesin e dekretimit të 23 gjyqtarëve
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit, të enjten ka mbajtur një konferencë për media në të cilën është prezantuar raporti “Administrimi i sistemit të drejtësisë nga Këshillat”, raporti i monitorimit të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial në vitin 2021.
Hulumtuesi i IKD-së, Lavdim Makshana ka thënë se KGjK-ja gjatë vitit 2021 ka treguar progres sa i përket miratimit të akteve nënligjore në krahasim me vitin paraprak. Megjithatë, sipas tij, janë një sërë aktesh nënligjore që kanë dalë si obligime nga Ligji i ri për Gjykatat dhe ai për KGjK-në, të cilat nuk janë miratuar nga ana e KGjK-së.
Po ashtu, ai ka thënë se KGjK-ja nuk ka miratuar as aktet normative të cilat i ka përfshirë në Planin e saj të Punës për vitin e kaluar.
Problematikë tjetër e ngritur nga Makshana është ndryshimi i shpeshtë i rregulloreve nga ana e KGjK-së.
Për t’u vlerësuar lartë sipas tij, është praktika pozitive e aplikuar nga KGjK për përfshirjen e publikut në fazën e draftimit të akteve normative, por që kërkohet formalizimi me akt nënligjor të veçantë.
Sa i përket ngritjes së llogaridhënies në KGjK, Makshana ka thënë se masa më e rëndë e shqiptuar nga Këshilli gjatë vitit 2021 ka qenë degradimi i ish-anëtarit të KGJK-së. Si progres në aspektin e ngritjes së llogaridhënies në KGjK, Makshana ka theksuar faktin se kryetarët e gjykatave janë ftuar që të raportojnë para anëtarëve të Këshillit.
Sfidë që duhet adresuar nga KGjK-ja dhe sistemi gjyqësor, sipas tij, është adresimi konform ligjit i të gjitha kërkesave për qasje në dokumente publike dhe përmbushja e vlerësimit të performancës për gjyqtarë, siç parashihet me ligj.
Po ashtu, Makshana ka thënë se zhvillimi i procedurave rekrutuese për pozitat udhëheqëse në kuadër të sistemit gjyqësor nuk është bërë konform afateve të përcaktuara nga vet KGjK-ja, duke ndikuar që një sërë gjykata themelore të mbeten për një kohë të gjatë me ushtrues detyre.
Me mungesë të transparencës sipas tij ishte përcjellë edhe procesi i dekretimit të 23 gjyqtarëve, për çka tha se ka pasur kritika edhe nga vet anëtarët e KGJK-së.
Një sërë hapash pozitiv për ngritjen e llogaridhënies së gjyqësorit, sipas Makshanës, janë ndërmarrë pas zgjedhjes së kryesuesit të ri të KGjK-së.
Ndërsa, hulumtuesi Mirvet Thaqi ka deklaruar se KPK-ja gjatë vitit të kaluar kishte treguar mungesë efikasiteti në nxjerrjen e akteve nënligjore në krahasim me vitin paraprak.
Po ashtu, ky institucion sipas Thaqit, nuk kishte nxjerrë as aktet nënligjore të përfshira në planin e saj të punës e as ato që derivojnë nga Ligji i ri për KPK-në.