IKD-ja thotë se qeveria në detyrë me nguti tenton ta kapë institucionin e Policisë së Kosovës

12 janar 2021 | 12:08

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj vazhdimit të procesit të rekrutimit për pozitën e drejtorit të përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK), të shpallur me konkursin e datës 18 nëntor 2020 nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), respektivisht nga qeveria në detyrë, përderisa për këtë konkurs ka një procedurë gjyqësore në proces, ku seanca për rishqyrtim dhe rivendosje të masës së sigurisë është caktuar më 20 janar 2021.

“IKD-ja vlerëson se vazhdimi i procesit për rekrutim për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të PK-së nga qeveria në detyrë, respektivisht MPB, në kohën kur është shpërbërë Kuvendi i Kosovës dhe ka një datë të caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, dëshmon qëllimin e saj për të vazhduar kapjen e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë, duke synuar emërimin e personave të afërt me politikën”, është thënë në reagimin e IKD-së.

Reagimi i plotë i IKD-së:

Kryeministri Avdullah Hoti më 16 tetor 2020, kishte liruar nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të PK-së, Rashit Qalaj dhe kishte emëruar në vend të tij si ushtrues detyre, Samedin Mehmetin. Po të njëjtën ditë, Kryeministri Hoti kishte liruar nga detyra edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Ibrahim Xhaka dhe drejtorin e përgjithshëm të ATK-së, Ilir Murtezaj.

Pas lirimit nga detyra të Rashit Qalajt, MPB-ja më 18 nëntor 2020 kishte shpallur konkurs për pozitën Drejtor i Përgjithshëm i PK-së. Ndaj vendimit për shkarkim nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të PK-së, Rashit Qalaj, kishte ngritur padi civile, ndërsa për konkursin e shpallur nga MPB, i kishte propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së përkohshme për ta ndaluar vazhdimin e procedurave për rekrutim për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor 2020, sipas propozimit për caktimin e masës së sigurisë të iniciuar nga ish-Drejtori i PK-së, Rashit Qalaj, kishte marrë vendim për caktimin e masës së sigurimit me të cilën ia kishte ndaluar Qeverisë së Kosovës, respektivisht MPB-së, vazhdimin e procedurave për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të PK-së sipas konkursit të shpallur më 18 nëntor 2020. Ndaj vendimit për caktimin e masës së sigurisë për këtë konkurs, ishte ankuar Qeveria e Kosovës, Zyra e Kryeministrit dhe MPB, të cilën ankesë e kishte aprovuar Gjykata e Apelit më 24 dhjetor 2020. Apeli kishte kthyer lëndën për rishqyrtim dhe rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo e fundit, më 8 janar 2021 kishte filluar seancën për rishqyrtim dhe rivendosje, e cila me propozimin e palëve ishte shtyrë dhe ricaktuar më 20 janar 2021.

MPB kishte vendosur që ta vazhdojë procesin e rekrutimit në konkursi për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, edhe përkundër që është palë në procedurë dhe kishte qenë pjesëmarrëse në seancën e mbajtur më 8 janar 2021, ku ishte shtyrë seanca dhe ricaktuar për 20 janar 2021, për rishqyrtim dhe rivendosje te masës për konkursin e shpallur.

Në këtë proces të rekrutimit, IKD është informuar se Komisioni respektiv ka përfunduar intervistimin e kandidatëve, madje duke shfrytëzuar ditët e vikendit për këtë qëllim. Pjesë e këtij procesi të rekrutimit ka qenë edhe Ambasada Britanike përmes Projektit për Rekrutimin e Pozitave të Larta, ndërsa në rolin e monitoruesve kanë qenë ICITAP, Zyra e Bashkimit Evropian dhe OJQ.

IKD-ja vlerëson se vazhdimi i procesit për rekrutim për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të PK-së nga Qeveria në detyrë, respektivisht MPB, në kohën kur është shpërbërë Kuvendi i Kosovës dhe ka një datë të caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, dëshmon qëllimin e saj për të vazhduar kapjen e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë, duke synuar emërimin e personave të afërt me politikën.

Praktikisht, qeveria në detyrë, përmes vazhdimit të procesit të zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të PK-së, tenton që për seancën e caktuar më 20 janar 2021 për vendosje lidhur me masën sigurisë për këtë konkurs, të krijojë një realitet të ri juridik përmes një gjendje të re faktike, duke pamundësuar kontrollin gjyqësor mbi një proces të kontestuar si dhe duke ndërhyrë drejtpërdrejtë si pushtet ekzekutiv në pushtetin gjyqësor, rrjedhimisht duke krijuar pasiguri juridike.

Për më tepër për shkak të ndjeshmërisë dhe rëndësisë, të cilën ka pozita e drejtorit të përgjithshëm të PK-së, në sistemin e sigurisë në vend, Ligji për Policinë në nenin 37 paragrafi 3, ka përcaktuar se: “Nëse drejtorit të përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm të Policisë iu përfundon mandati në vitin kalendarik të zgjedhjeve të përgjithshme, atëherë qëndrimi i tyre në detyrë do të zgjatet në mënyrë automatike për një (1) vit pas certifikimit të zgjedhjeve.”

IKD-ja vlerëson se qëllimi i këtij neni është ruajtja e integritetit të pozitës së drejtorit të përgjithshëm të PK-së, duke pamundësuar keqpërdorimin e pozitës nga qeveritë në detyrë, që para përfundimit të mandatit të zgjedhin të preferuarit e tyre.

IKD-ja vlerëson se kjo qasje e qeverisë Hoti, dëshmon tendencën e vazhdimit të politizimit dhe kapjes së sistemit e drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë. Ndërsa, pjesëmarrja e Ambasadës Britanike në këtë proces, reflekton tentimin e Qeverisë në detyrë që ta legjitimojë një proces, të cilit i mungon në tërësi legjitimiteti.

Qasja e qeverisë Hoti është në kundërshtim edhe me vet Projektligjin për qeverinë, proces ky i udhëhequr dhe finalizuar nga qeveria Hoti në muajin gusht të vitit 2020. Gjatë muajit dhjetor të vitit 2020, kishte dhënë komente edhe Komisioni i Venecias sipas kërkesës së Qeverisë së Kosovës. Në nenin 31 të Projektligjit për qeverinë, është përcaktuar se qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara me Planin vjetor të punës së qeverisë dhe me ligjin vjetor për buxhetin, me përjashtim të aktiviteteve të listuara në këtë nen. Neni 31 paragrafi 1.3, ka përcaktuar në mënyrë taksative se Qeveria në detyrë “Nuk mund të inicion procedura të reja për emërimin në pozitat publike për të cilat është përgjegjëse sipas ligjeve të aplikueshme”.

Lidhur me këtë dispozitë, Komisioni i Venecias, kishte dhënë opinionin e saj, duke konstatuar se kufizimet e përcaktuara për qeveritë në detyrë në Ligjin për qeverinë nuk ngrisin çështje të papërshtatshmërisë me standardet ndërkombëtare.

Në këtë drejtim është e pakuptimtë dhe në kundërshtim më parimet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë që e njëjta qeveri, e cila ka miratuar një Projekt ligj të tillë, edhe përkundër se i njëjti ende nuk është miratuar në Kuvend, të shkelë parimet dhe standardet e mishëruara lidhur me kompetencat dhe përgjegjësitë e qeverive në detyrë. Një qasje e tillë është e papranueshme dhe cenon rëndë besimin e publikut në një proces të pavarur, paanshëm dhe të drejtë të përzgjedhjes dhe emërimit të drejtorit të përgjithshëm të PK-së.

Përveç qëllimit që ta përmbyllë konkursin për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të PK-së, Qeveria në detyrë, me hapa të ngutshëm, me të njëjtin qëllim, është duke udhëhequr disa procese të rekrutimit në pozita të larta të rëndësishme në disa institucione dhe ndërmarrje publike.

IKD-ja kërkon nga qeveria Hoti, e cila është në detyrë, që të tërhiqet nga çdo përpjekje për të vazhduar procesin e përzgjedhjes të drejtorit të përgjithshme të PK-së dhe t’i hapë rrugë kontrollit gjyqësor të këtij procesi, duke respektuar parimet dhe standardet më të larta të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, duke garantuar sigurinë juridike për të gjithë.

IKD-ja kërkon nga Ambasada Britanike që të sqarojë publikun për rolin dhe nevojën për të vazhduar procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, në kohë kur ka një kontestim të këtij konkursi në procedurë gjyqësore, si dhe udhëheqjen e një procesi për një ndër pozitat e larta më të rëndësishme nga një qeverie në detyrë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica,…