IKD-ja: Viktimat e dhunës në familje kanë të drejtën e kompensimit
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mbajtur konferencë për media ku ka prezantuar raportin me titull “Kompensimi i Viktimave të Dhunës në Familje”.
Gjatë prezantimit të raportit, Flamur Kabashi, hulumtues ligjor në IKD, ka thënë se viktimat e dhunës në familje kanë të drejtën e kompenszimit në ato raste kur i pandehuri shpallet fajtor, shkruan “Betimipërdrejtësi”.
“Gjykata që zbaton procedurën penale shqyrton propozimet e palëve, përkatësisht viktima ose personat e autorizuar, lidhur me kërkesat e tyre pasurore juridike, për dëmet që kanë pësuar si rezultat e kryerjes së veprës penale nga të cilët janë dëmtuar”, ka thënë Kabashi.
Më tutje, ai ka thënë se ekziston edhe një instancë tjetër e cila siguron të drejtën për kompensim të viktimave të dhunës në familje.
“Në rastet kur kompensimi nuk mund të sigurohet sipas rrugëve të lartcekura, Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit siguron të drejtën për kompensim nga Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, ka thënë ai.