IKD-ja: Zhbërja e Speciales konteston subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar të hënën lidhur me iniciativën për zhbërjen e Gjykatës Speciale, duke vlerësuar se një veprim i tillë cenon rëndë detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Po ashtu, ky institut ka vlerësuar se zhbërja e Gjykatës Speciale bie ndesh me vlerat dhe parimet ndërkombëtare lidhur me sundimin e ligjit për të cilat është zotuar Kosova dhe konteston rëndë subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
“IKD-ja thekson se Republika e Kosovës dhe institucionet e saj, Qeveria, Kuvendi dhe presidenti i Republikës, përgjatë viteve 2015 dhe 2016, si rezultat i bisedimeve në Bruksel dhe me pëlqimin e mbështetjen e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera mike ishin dakorduar për themelimin e Gjykatës Speciale dhe se ky hap i Kuvendit të Kosovës aso kohe ishte ndërmarrë me arsyetimin se shkon në të mirë të Kosovës dhe rrugës së saj drejt konsolidimit të shtetësisë dhe forcimit të sovranitetit shtetëror”, është thënë në reagimin e IKD-së.