IKD: Nga premtimi për transpencë radikale në transparencë nën minimale
Në kuadër të “Javës kundër Korrupsion 2023”, Instituti i Kosovës për Drejtësi të shtunën ka publikuar raportin “Mungesa e transparencës minimale, përballë premtimit për transparencë radikale”, i cili raport përmban gjetjet lidhur me nivelin e transparencës së Zyrës së Presidentit, Kuvendit dhe Qeverisë.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, tha se përkundër premtimit për transparencë minimale, Qeveria ende nuk ka plotësuar kriteret minimale të transparencës.
“Qeveria aktuale ka ardhur në pushtet me premtimin për “transparencë radikale”. Përballë këtyre premtimeve, ligjeve dhe rregulloreve në fuqi dhe nevojës së madhe për transparencë, qeverisja aktuale duket se ende nuk ka arritur standardet minimale të transparencës publike. Aq më pak, një “transparencë radikale”. Gjetjet e Institutit të Kosovës për Drejtësi dëshmojnë se kur po bëhen tri vite që nga ardhja e Qeverisë aktuale në pushtet, institucionet qeveritare ende nuk kanë arritur të plotësojnë standardet minimale të transparencës, e aq më pak një transparence radikale”, theksoi Shala.
Aurela Mërlaku, hulumtuese në IKD, ka prezantuar gjetjet e raportit, ku ka theksuar se Kuvendit dhe Presidencës i mungojnë të dhënat në lidhje me zyrtarët për qasje në dokumente publike. Po ashtu, sipas saj, këtë obligim nuk e kanë përmbushur as gjysma e dikastereve qeveritare.
“Mungesë e theksuar e transparencës së institucioneve qeveritare vërehet në raport me publikimin e vendimeve të ministrave. Nga të gjitha institucionet qeveritare, të gjitha vendimet e nxjerra janë publikuar vetëm në rastin e Qeverisë. Janë gjithsej 10 ministri të cilat në faqen e tyre zyrtare nuk kanë të publikuar asnjë vendim të nxjerrë nga Ministri. IKD po ashtu gjeti se në shumë raste, faqet zyrtare të ministrive nuk përmbajnë të dhënat e plota në lidhje me Ministrat dhe kabinetet e tyre, përfshirë edhe kontaktet e tyre” ka deklaruar Mërlaku.
Tutje, Mërlaku theksoi se në rastin e Qeverisë, problematike del të jetë çështja e kërkesave për qasje në dokumente publike.
“Në kuptim të zbatimit të obligimeve ligjore dhe veçanërisht premtimeve për “transparencë radikale”, problematike del të jetë edhe qasja në dokumente publike. Gjatë periudhës kohore Janar – Shtator 2023, në Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u parashtruan gjithsej 120 ankesa për qasje në dokumente publike. Në 71 prej këtyre rasteve, qasja në dokumente publike u mundësua vetëm pas parashtrimit të ankesës në AIP, në të cilat raste AIP nxjerri vendime përmbyllëse. Ndërsa, në 17 raste, AIP nxjerri vendime detyruese për qasje në dokumente publike” theksoi Mërlaku.
Mërlaku shtoi se gjatë vitit 2023 dikasteret Qeveritare përkundër obligimit që kanë, nuk publikuan për konsultime publike gjithsej 55 dokumente që detyrimisht duhej t’i nënshtroheshin procesit të konsultimeve publike. Sipas Mërlakut, progres evidentohet në respektimin e afatit kohor të konsultimeve publike, pasi sipas saj, ky afat është respektuar në të gjitha rastet kur dokumentet janë publikuar për konsultime publike.
Java Kundër Korrupsion organizohet falë mbështetjes së Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL).