IKD publikon emrat e kandidatëve për deputetë nga Nisma, me aktakuza dhe dënime
Ekipi i monitoruesve dhe hulumtuesve të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ka hulumtuar integritetin e kandidatëve të partive politike të përfshirë në listat zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021.
Gjetjet e hulumtimit të IKD-së tregojnë se në listën zgjedhore të Nismës Socialdemokrate, nga 110 kandidatë për deputetë, rezulton se dy (2) prej tyre janë të dënuar aktgjykim të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, njëri për veprën penale “Përdorim i armës” i dënuar me 2400 euro gjobe dhe tjetri me gjashtë (6) muaj burgim me kusht dhe 600 euro gjobë për “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Po ashtu, njëri prej kandidatëve të dënuar në listën e Nismës Socialdemokrate ka një aktakuzë aktive për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, i cili rast me pajtimin e palëve ka shkuar në ndërmjetësim.
IKD thekson se do të hulumtojë edhe ditët në vazhdim, për të kompletuar secilin informacion mbi secilin kandidatë që gjendet në listat zgjedhore.