Ike i ri, Naman!
Sot, në Lupç të Poshtëm të Podujevës, në varrimin e Naman Humollit
E kujton: Smajl Latifi
E kam njohur që para luftës Namanin, ishte vëlla me Fatmir Humollin, me të cilin bashkëvepronim, sepse i takonim të njëjtës organizatë politike kombëtare, LKÇK-së, e që Namani ishte i familjarizuar plotësisht.
Jemi takuar shumë shpesh gjatë periudhës përgatitore për organizimin e luftës tonë çlirimtare, kemi mbajtur lidhje të mira e të vazhdueshme gjatë tërë kohës së luftës e së pasluftës.
Namani, ishte shpirtmirë e i dashur, i afërt e i buzëqeshur, bëmirës dhe shumë njerëzor.
Ishte i angazhuar për të përgjithshmen e një kontributdhënës për të mirë, në çdo kohë.
Na respektonte e na donte.
Në mëngjesin e sotëm, Namani vdiq nga një sëmundje e rëndë, duke lënë të pikëlluar familjen Humolli, të afërmit, miqtë e të gjithë ata që e njohën!
Me vdekjen e Namanit, familja Humolli humbi më të dashurin e vet, shoku ynë Fatmiri, humbi vëllain e tij besnik, që i qëndroi afër dhe e mbështeti gjatë tërë kohës sa vepronte, shumë nga ne ashtu si edhe unë, humbëm një shok të çmuar.
Në këtë ditë dhimbjeje, bashkëndiej me familjen Humolli dhe u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta.
U prehsh në qetësi, Naman Humolli!
E paç të lehtë mbi varr dheun e tokës sonë!