Ikja e qytetarëve nga Kosova, Bislimi: Është diçka normale
Ikja e kosovarëve nga vendi “është diçka normale” për zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Bislimi është pyetur për largimin e qytetarëve nga vendi gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrime, ku fillimisht ka thënë se për këtë “duhen statistika”.
Ai ka thënë se në Ballkanin Perëndimor ka pasur gjithmonë tendenca për migrim, ndërsa ka thënë se kjo “është diçka normale”.
“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Evropën Lindore ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Evropian nuk janë të lidhur me Bashkimin Evropian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës”, ka thënë ai.
Më tutje, Bislimi ka thënë se “mund të bëhet më shumë” që ata të qëndrojnë në Kosovë, duke thënë se “kushtet e punës duhet të jenë më të mira”.
“A jemi duke bërë mjaftueshëm që ata të mbeten në Kosovë? Unë mendoj që mund të bëjmë më shumë. Por, po them, për aq kohë sa gjithandej nëpër Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan ka shpallje që kërkojmë punëtorë, kjo nënkupton që ndoshta kushtet e punës duhet të jenë më të mira për t’i tërhequr këta që të mbesin në Kosovë”, ka thënë zëvendësi i Albin Kurtit.
Bislimi ka thënë se për informata duhet të merren parasysh Agjencia e Statistikave të Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës. Ai thënë se nuk mund të merren parasysh “personat si Jusuf Azemi”, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.
“Për këto informata mund të diskutojmë. Se me e pyet për shembull, Jusuf Azemin, ai thotë 600 mijë punëtorë e kanë lëshuar punën. Por nuk mund t’i marrim për bazë këta persona”, ka thënë Bislimi.