IKJA NGA ATDHEU

24 shkurt 2019 | 15:51

Shkruan: Ajvaz Berisha

Çdo ditë si në heshtje dëgjoj se si rinia po largohet nga vendi. Çdo ditë studentët më drejtohen si ta bëjë një vizë e të largohem nga ky vend? Çdo ditë dëgjoj se ikën filani e fisteku.
Pyes veten: çfarë mund të bëjmë si shoqëri vallë, por edhe si individ për ta ndryshuar këtë gjendje ? Që të ndalohet ky trend i ikjes nga atdheu, për të cilin u sakrifikuan shumë breza që ta fitojmë lirinë?

Si sot, më kujtohen vitet e nëntëdhjeta kur rinia e Kosovës braktisi atdheun për t’i ardhur më vonë në ndihmë me mjete financiare por edhe me pushkë. Në mesin e këtyre të larguarve isha edhe unë , por isha edhe në mesin e shumë të tjerëve që u kthyen për t’i dalë zot atdheut.

Nëse dje u larguam për shkak të represionit, sot pse po ikin të rinjtë? Kush ua krijoi këtë klimë që ata të mos e duan atdheun tash të lirë? Ky largim nuk i intereson asnjë politikani në pushtet! Gara e tyre është cili të bëjë sa më shumë miliona për vete. Fatkeqësi!

Nuk ndihen aspak fajtorë, nuk u vjen fare turp, nuk ndihen të turpëruar, që mese 50 veteranë kanë bërë vetëvrasje. Nuk ndihen fajtorë që shumë të rinj kanë rënë në depresion për shkak të skamjes! Shpeshherë dëgjoj njerëz që thonë se komandantët i kanë fajet?! Të dashur qytetarë, hajnia ka filluar nga vjedhja e dy fondeve në mërgim, “Fondi i 3 përqindëshit” dhe “Fondi Vendlindja” thërret, pastaj kjo vjedhje ka vazhduar nga të gjithë pushtetarët pa dallim.

Sepse po ta shikoni realitetin, nga paslufta, sa ministra kanë qenë komandantë? Fare pak. Nuk mund të hidhet i tërë faji vetëm te një grup, sepse vendin e kanë vjedhur pa dallim secili që ishte në pushtet.

Prandaj ju lutem, rrini mos u largoni nga vendi i juaj. Gjeni forcën ta ndërrojmë këtë pushtet që në krye të vendit të vijë Lëvizja Vetëvendosje në krye me njeriun e pakorruptuar Albin Kurtin. Ta provojmë edhe këtë, mos i humbisni shpresat. Jemi rrëzuar disa herë, por duhet ta provojmë të ngritemi dhe të bëhemi edhe më të fortë për ta arritur qëllimin. “Thuaja kangës rini pashë sytë e tu”.

T’ua kthejmë shpresën gjeneratave që po vijnë! Ju lutem shumë , mos e humbisni shpresën. Do të vijë koha juaj. Do t’ ju kthehet pasuria e vjedhur. Do t’ju kthehen shpresat.

Do të vijë një pushtet që dëshironi ju dhe do të mendojë për ju. Pasuritë milionëshe do t’ua marrë atyre që i kanë fituar pa djersë, të jeni të bindur për këtë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një numër i madh i qytetarëve janë mbledhur të dielën…