IKMK-ja vazhdon aktivitetin e radhës, puna vullnetare aktivizon nxënësit në komunitet
Instituti Kosovar i Medias dhe Komunikimit (IKMK) ka vazhduar aktivitetin e radhës.
Sekretari i IKMK-së, Armend Ahmeti, ka theksuar se puna vullnetare është përkushtim i kohës dhe energjisë në një aktivitet, i cili është për të mirën e shoqërisë, komunitetit dhe mjedisit.
Ai ka thënë se aktivizimi në shërbimet e komunitetit u jep studentëve mundësinë për t’u bërë anëtarë aktiv të komunitetit të tyre dhe ka një ndikim të qëndrueshëm dhe pozitiv mbi shoqërinë në përgjithësi.
“Shërbimi për të mirën e komunitetit ose vullnetarizmi u mundëson studentëve të fitojnë aftësi dhe njohuri për jetën, si dhe të ofrojnë një shërbim për ata që kanë nevojë më së shumti”, është shprehur ai.
Ahmeti ka bërë me dije se vullnetarizmi përfshin aktivitete të ndryshme, duke filluar nga përfshirja në klube të ndryshme rinore dhe kontributi në ndonjë shoqatë bamirësie me punë administrative.
Sipas tij, çdokush mund të bëj punë vullnetare. “Nuk ka rëndësi mosha, gjinia, sa jeni të aftë fizikisht apo nëse jeni të punësuar, gjithmonë ka diçka që ju mund të bëni”, ka thënë Ahmeti para një grupi të të rinjve.
“Ka shumë njerëz që bëjnë punë vullnetare disa herë në vit kur gjejnë kohë të lirë, disa janë të angazhuar me orë të tëra dhe ka të tillë që punojnë vullnetarisht me orare të rregullta”, ka deklaruar Ahmeti.
Në vijim gjeni disa nga përfitimet që sjell puna vullnetare:
Përfitimet psikologjike
Vullnetarizmi ju bën më pozitiv dhe ju ndihmon të ndiheni mirë për veten, sepse po ndihmoni të tjerët. Gjithashtu ndikon në uljen e stresit, zemërimit dhe lehtësimin e depresionit, si dhe rritjen e vetëbesimit pasi që ju ndjeheni mirë për arritjet e juaja, gjë që ju mundëson të mendoni për jetën dhe qëllimet e mëvonshme në mënyrë pozitive.
Puna vullnetare ju bënë më të shëndetshëm fizikisht. Sipas disa studimeve, vullnetarizmi ju shtyn të ecni më shumë, ta keni më të lehtë me detyrat e përditshme, zvogëlon rrezikun për tension të lartë të gjakut dhe ju ndihmon t’i zhvilloni aftësitë e të menduarit.
Përfitimet sociale
Puna vullnetare aktivizon nxënësit në komunitet, krijon lidhje në mes të popullsisë dhe rrit vetëdijen dhe përgjegjësinë sociale. Pra, vullnetarizmi forcon lidhjet tuaja me komunitetin dhe zgjeron rrjetin tuaj social duke ju shoqëruar me njerëz me interesa të përbashkëta.
Përfitimet njohëse
Puna vullnetare ndihmon studentët të rrisin njohuritë dhe të zhvillojnë aftësi më të mira ndërpersonale të komunikimit. Gjithashtu, vullnetarizmi u jep mundësinë t’i praktikojnë shkathtësitë që janë të rëndësishme në vendin e punës si p.sh. puna në grup, komunikimi, planifikimi i projektit, organizimi etj.
Pjesëmarrja në aktivitetet për shërbime ndaj komunitetit ndihmon në përmirësimin e rinisë studentore, duke i lejuar studentët të marrin shkathtësi të lidhura me punën para diplomimit, marrin referenca të mira dhe sigurojnë rrjetëzim me punëdhënësit potencial.
Gjithashtu ju ndihmon nxënësve të zhvillojnë aftësitë e përgjegjësisë qytetare dhe sociale dhe si të bëhen më të vetëdijshëm për atë që ka nevojë komunititeti i tyre.