IKShP-ja: Ndotja e ajrit po vazhdon të jetë e lartë në Prishtinë

29 janar 2018 | 12:01

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP) nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë me dije se po përcjell në vazhdimësi nivelet e larta të ndotjes së ajrit në Kosovë, e veçmas në Prishtinë.

Sipas IKShP-së, në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës është zhytur në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole, i cili vërehet gjithandej.

“Sipas të dhënave të Agjensionit të Mbrojtjes së Mjedisit dhe Ambasadës Amerikane vlerat e PM 2.5 janë mbi vlerat e lejuara. Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë se po qese nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese”, është thënë në komunikatën e IKShP-së.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë daljet në qytet sidomos në mëngjes dhe mbrëmje, të mos t’i hapni dritaret për ajrosjen e dhomave, si dhe personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse ose të mbulojnë gojën e hundën me shall.

Komunikata e plotë e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike:

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike po përcjell në vazhdimësi nivelet e larta të ndotjes së ajrit në Kosovë e veçmas në Prishtinë.

Në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës është zhytur në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole, i cili vërehet gjithandej.

Sipas të dhënave të Agjensionit të Mbrojtjes së Mjedisit dhe Ambasadës Amerikane vlerat e PM 2.5 janë mbi vlerat e lejuara.

Efektet afatshkurta të ajër ndotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit.

Si burime potencialisht ndotëse tashmë të njohura janë termocentralet elektrike, përdorimi i ngrohjes në sezonin e dimrit, automjetet e vjetruara dhe trafiku i dendur, djegia e shtuar e karburanteve dhe lëndëve të ngurta djegëse, djegia e mbeturinave, mungesa e sipërfaqeve të mjaftueshme gjelbëruese, mospastrimi i rrugëve, ndërtimet gjatë tërë vitit pa plan të mirëfilltë urbanistik, prania enorme e pluhurit në qytet.

Duke analizuar situatën aktuale Instituti Kombëtar, propozon këto masa strategjike:

-Të implementohet urgjentisht plani i veprimit i nënshkruar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

-Implementimi i programeve kombëtare dhe projekteve të përbashkëta për fushën e ajër ndotjes.

-Inspektorati shëndetësor të kontrolloj raportimin ditor të sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare nga të gjitha institucionet shëndetësore të kujdesit parësor, dytësor dhe tretësor (veçanërisht QKMF Prishtinë dhe Klinika Emergjente, SHSKUK).

Masa specifike:

-Inspektoratet e mjedisit të bëjnë kontrollin rigoroz të filtrave të ajrit në termocentrale gjatë 24 orëve, kualitetit të karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët.

-Shtimi i numrit të autobusëve me karburante ekologjike në transport publik.

-Të kufizohet ardhja e veturave nga periferia në kryeqytet.

-Urgjentisht të merren masa rigoroze të kontrollit teknik të veturave.

-Mirëmbajtja e rrugëve dhe menaxhimi i drejtë i mbeturinave të ngurta.

-Matja e përhershme e ndotjes së ajrit në pikat kyçe në Kosovë dhe paraqitja ditore e rezultateve online.

Masa individuale (rekomandime shëndetësore për popullatën)

-Të reduktohen daljet në qytet dhe në vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat.

-Qëndroni në shtëpi dhe mos i hapni dritaret për ajrosjen e dhomave.

-Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të

përdorin maska mbrojtëse ose të mbulojnë gojën e hundën me shall.

-Të reduktohet pirjen e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërish ndalimi i duhanpirjes brenda hapësirave të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve.

-Grupet e popullatës së rrezikuar të tilla si me sëmundje kronike pulmonare, zemrës, pacientët astmatik dhe të prirë për alergji, të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna rekomandohet që të kalojnë më shumë kohë në mjedise me nivele të ulëta të ndotësve, të tilla si malet dhe vendpushime të shëndetshme.

Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë se po qese nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese.

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht vizitës së ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, 36 specialistë…