IKSHPK: 6 të vdekur dhe 1250 raste me Covid-19
Prej datës 01.08.2024 deri më 26.08.2024 janë raportuar 1250 raste me COVID-19, ndërsa janë raportuar gjithsej 6 vdekje.
Gjatë 24-orëve të fundit janë raportuar 24 raste të reja, ka thënë për Indeksonline Era Pireva zyrtare për informim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
“SARS-CoV-2, koronavirusi që shkakton COVID-19, ende po pëson mutacion, duke ngritur shqetësime për një valë të mundshme infeksionesh këtë verë. Indikatorët e aktivitetit SARS-CoV-2 në mjediset e kujdesit parësor dhe dytësor kanë pësuar rritje të numrit të rasteve, që nga fundi i pranverës 2024. Koha e epidemisë ka ndryshuar midis BE-së-ZEE-së, ku shumë vende raportojnë rritje, dhe vende të tjera raportojnë tendenca në rënie, ka thënë Era Pireva zyrtare për Informim në IKSHPK
Grupi më i prekur në mjediset spitalore janë individët e moshës 65 vjeç e lart, duke theksuar faktin se popullata vulnerabile mbetet në rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundje të rëndë.
Prej 01.08.2024 deri më 26.08.2024 janë raportuar 1250 raste me COVID-19, ndërsa janë raportuar gjithsej 6 vdekje.
Në 24 orët e fundit janë raportuar 24 raste”, tha Pireva.
Për shkak të rritjes së numrit të rasteve, Instituti Kombëtar i ka përditësuar rekomandimet si më poshtë:
1. Rastet që rezultojnë pozitiv në SARS-CoV-2 rekomandohet që të izolohen për 5 ditë, kurse kthimi në aktivitetet normale pune të bëhet sipas rekomandimit të mjekut/klinicistit.
2. Të bëhet testimi i rasteve sipas definicionit të rastit dhe sipas rekomandimeve të mjekut/klinicistit, si dhe rastet pozitive të raportohen në IKShPK;
3. Vaksinimi i popullatës bazuar në Planin e Imunizimit, me theks të veçantë për grupet e rrezikut (personat me sëmundje kronike jo-ngjitëse, personat 65 vjeç etj). Megjithëse njerëzit e vaksinuar ndonjëherë infektohen me virusin që shkakton COVID-19, rivaksinimi me vaksinat kundër COVID-19 ul ndjeshëm rrezikun për format e rënda të sëmundjes, për shtrimet në spital ose për rastet me fatalitet nga COVID-19
4. Trajtimi i pacientëve me COVID-19 të bëhet sipas udhërrëfyesit klinik për menaxhimin dhe trajtimin e këtyre rasteve;
5. Të informohet popullata në vazhdimësi për të rejat dhe masat parandaluese rreth COVID-19.