IKSHPK: Asgjë nuk ka përfunduar, mbani maskat e distancën
“Asgjë nuk ka përfunduar! Virusi nuk po tallet! Virusi akoma gjendet në mesin tonë”. Ky është apeli i sotëm i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pak orë pasi njoftoi se ka regjistruar të premten 21 raste të reja me koronavirusin e ri, pas kryerjes së 267 testeve.
IKSHPK-ja njofton se sonte u detektuan 19 raste të reja pozitive në Prizren e 2 në Suharekë.
“1025 raste deri sot me 782 të shëruar!”, thekson instituti.
Tutje IKSHPK-ja ka bërë thirrje edhe për vazhdimin e mbajtjes së maskave e distancës.
“Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave! Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!”, është apeli i IKSHPK-së.
Njoftimi i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik:
Kështu ka filluar më 13 mars!
Një rast i vetëm në Stubëll!
Një rast i vetëm në Klinë!
Një rast i vetëm ka filluar në Malishevë!
Një rast i vetëm në Dumnicë!
Një rast i vetëm në Wuhan!
Një rast i vetëm në Codogno!
Krejt janë raste të vetme që kanë arritur në mbi 5.000.000 raste në botë dhe po vazhdon akoma!
Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm.
Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave në vendet publike.
Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të COVID-19!
Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.
Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj!
Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim.