IKSHPK-ja: Akoma ka vlera të larta të manganit në ujin e liqenit të Badocit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se është duke vazhduar monitorimi dhe përcjellja në vazhdimësi e cilësisë së ujit në liqenin akumulues të Badocit, të destinuar për pije dhe se nuk ka vend për panik.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, analizat e fundit laboratorike tregojnë akoma vlera më të larta se niveli maksimal i lejuar i manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës, sipas standardeve të parapara në Udhëzimin administrativ nr. 10/2021 -Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu.
“Ekipet e IKSHPK-së janë në terren 24/7 dhe po bëhen çdo ditë analiza fiziko-kimike të ujit të prodhuar në Fabrikën që furnizohet nga Liqeni akumulues i Badocit dhe qytetarët do të njoftohen me kohë për normalizimin e parametrave referent të ujit të pijshëm. IKSHPK-ja apelon qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badocit se uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera. Uji në rajonet që furnizohen nga liqenjtë akumulues Batllava dhe Ujmani mund të përdoren për pije pa përkufizim. Shpërlarja e rezervuarëve të ujit në shtëpi dhe ndërtesat e banimit të përbashkët me qëllim pastrimi të Manganit të shtresuar (përgjegjësi e amvisërive dhe këshillave të banimit)”, ka njoftuar IKSHPK-ja.
Ky institut ka njoftuar se bashkëveprimi IKShPK/QU dhe KRU-ve me institucionet shtetërore është në kontinuitet deri në qetësimin e situatës.
“Po vazhdon bashkëveprimi i IKSHPK-së me KRU ‘Prishtina’ deri në normalizimin e vlerave të manganit. I bëhet thirrje popullatës që lidhur me këtë çështje t’i referohet vetëm njoftimeve zyrtare të këtyre dy institucioneve”, ka njoftuar IKSHPK-ja.