IKSHPK-ja bën thirrje për testim, bartje të maskave dhe vaksinim kundër Covidit

16 qershor 2022 | 16:19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bartin maskat në ambiente të mbyllura dhe të vaksinohen.

“Kosova shënon këtyre ditëve numër të vogël të rasteve të reja të Covid-19 dhe për më tepër, fatmirësisht, nuk ka as raste të vdekjeve nga kjo sëmundje. Por, në vende të ndryshme të botës, akoma po regjistrohen raste të shumta të Covid-19, sepse pandemia nuk ka mbaruar. IKSHPK-ja është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, është thënë në thirrjen e IKSHPK-së.

Sipas këtij instituti, me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që të vaksinohen, me dozën e parë ata që ende se kanë bërë këtë, kurse të tjerët me dozën e dytë dhe dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19.

“MSh-ja dhe IKSHPK-ja rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen kundër Covid-19”, është bërë me dije në njoftimin e IKSHPK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për vite me radhë, ndërhyrjet renovuese në ndërtesën e Teatrit…