IKSHPK-ja bën thirrje për vaksinim kundër HPV-së
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje për vaksinim kundër HPV-së për ta parandaluar kancerin e qafës së mitrës dhe sëmundjeve tjera.
“Një bashkëbisedim shumë i rëndësishëm me prindër dhe mësimdhënës në shkollën fillore ‘Ismail Qemali’ në Mitrovicë, me qëllim të ndarjes dhe zgjerimit të informacioneve e njohurive të prindërve në lidhje me vaksinën kundër Human Papilloma Virusit. Vaksina HPV ka filluar të aplikohet në Kosovë për vajzat e klasave të gjashta. Gjatë këtij diskutimi të hapur, përfaqësues nga IKSHPK, Zyra e OBSh-së në Kosovë dhe profesionistë shëndetësor nga komuna e Mitrovicës, shpjeguan para prindërve rreziqet nga infeksioni me Virusin Human Papillom dhe përfitimet e drejtpërdrejta nga vaksina HPV në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës dhe sëmundjeve të tjera. Me prindërit janë ndarë informacione të rëndësishme me qëllim për t’i ndihmuar ata ta kuptojnë pse vaksinimi është një hap i rëndësishëm për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve të tyre. Vaksinohuni kundër HPV-së për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës dhe sëmundjeve të tjera serioze”, ka njoftuar IKSHPK-ja.