IKShPK-ja bën thirrje për zbatimin e masave anti-Covid
Duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale me Covid-19, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka përsëritur thirrjen për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia.
“IKShPK-ja apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit Covid-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19”, ka njoftuar IKShPK-ja, raporton “Epoka e re”.
Në veçanti, IKShPK-ja ka bërë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
“Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar IKShPK-ja.