IKSHPK-ja bën thirrje që të respektohen masat anti-Covid
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) përmes një reagimi për media sërish ka reaguar për situatën me Covid-19.
Sipas IKSHPK-së, Omicron po vazhdon të përhapet me shtim të rasteve fatale dhe është varianti dominues në qarkullim duke rënduar akoma situatën epidemiologjike me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve.
“Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhëtimet, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura. IKSHPK-ja është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, ka njoftuar IKSHPK-ja.
Ky institut, ka theksuar se situata epidemiologjike akoma është e rëndë, andaj IKSHPK-ja ka apeluar tek
të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së Covid-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, është theksuar në njoftimin e IKSHPK-së.