IKShPK-ja fton qytetarët për kujdes nga ‘Lija e Majmunit’
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se po e përcjellin me vëmendje epidemiologjinë “Mpox” (dikur të quajtur si “Lija e Majmunëve”), pas shpalljes emergjencë globale për shëndetin publik nga organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) për herë të dytë brenda dy vjetëve.
Sipas IKShPK-së në Republikën e Kosovës, nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë, sa i përket kësaj sëmundje dhe se nuk ka vend për panik, por për kujdes.
“MSh/IKShPK njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se po e përcjell me vëmendje epidemiologjinë e ‘Mpox’ që nga paraqitja e rasteve të para sivjet në kontinentin e Afrikës. Në Republikën e Kosovës, nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë, sa i përket ‘Mpox’ dhe se nuk ka vend për panik, por për kujdes. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me OBSh-në dhe ECDC-në, për vlerësimin e rrezikshmërisë dhe rekomandimeve për masat që duhet ndërmarrë për sëmundjen në fjalë. Në laboratorët e IKShPK-së janë në dispozicion reagensët për testimin e rasteve të dyshimta! IKShPK-ja po monitoron situatën epidemiologjike në bashkëpunim me ShSKUK-në dhe konform situatës epidemiologjike në rajon dhe në botë, do të dal me njoftime të reja”, ka njoftuar IKShPK-ja.
Po ashtu, IKShPK-ja u ka rekomanduar profesionistëve shëndetësorë që të rrisin vëmendjen për simptomat e sëmundjes, ndërsa qytetarët i ka këshilluar që të lajmërohen te mjeku nëse kanë dyshime apo simptoma të sëmundjes.
“Profesionistët shëndetësor rekomandohet të rrisin vëmendjen për simptomat e sëmundjes, ndërsa qytetarët këshillohen që të lajmërohen te mjeku nëse kanë dyshime apo simptoma të sëmundjes”, ka njoftuar IKShPK-ja.
Ndryshe, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBS), më 14 gusht 2024, ka shpallur “Mpox” emergjencë globale për shëndetin publik, për herë të dytë brenda dy vjetëve.
OBSh-ja e ka marrë këtë vendim pas përhapjes së virusit në Republikën Demokratike të Kongos, si dhe në vendet fqinje, sikurse në Burundi, Kenia, Ruandë dhe Ugandë.
Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Afrikë ka thënë se vetëm këtë vit kontinenti i ka regjistruar 1 mijë raste të infektimit të ‘Mpox’ dhe 517 vdekje.