IKShPK-ja kërkon kujdes nga qytetarët gjatë përdorimit të ujit të pijshëm
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës (IKShPK) ka bërë me dije se Qendra e Ujit në këtë institucion e ka sforcuar monitorimin e cilësisë së ujit për pije gjatë tërë kësaj periudhe kohore për shkak të reshjeve të shiut.
Sipas IKShPK-së, bazuar në rezultatet nga matjet e kryera deri më tani vërehen vlera të shtuara të turbullirës së ujit, i cili ndikon në procesin e ngadalësimit të trajtimit të ujit dhe rrjedhimisht zvogëlimin e kapacitetit prodhues (zvogëlim i sasisë së ujit të përpunuar).
Më këtë rast, IKShPK-ja ka bërë thirrje për kujdes gjatë përdorimit të ujit.
“Andaj luten qytetarët të kenë kujdes në shfrytëzimin racional të ujit të pijshëm dhe kursimin e tij”, ka njoftuar IKShPK-ja, duke dhënë edhe disa rekomandime.
Rekomandimet e IKShPK-së:
1. Sforcimi i të gjitha fazave të trajtimit të ujit për pije;
2. Të matet rregullisht Ph në pjesën hyrëse dhe dalëse të filtrave;
3. Të bëhet pastrimi i filtrave dhe të kontrollohen vlerat e parametrave përcjellës;
4. Të regjistrohen të gjitha rezultatet dhe masat e ndërmarra;
5. KRU duhet menjëherë të fillojë planifikimin e zgjidhjeve dhe gjetjes së alternativave për
furnizim të rregullt të qytetarëve me ujë të pijshëm.
IKShPK-ja konsideron që zbatimi i këtyre masave është i domosdoshëm për tejkalimin e problemit aktual të cilësisë së ujit për pije dhe rrjedhimisht për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
IKShPK-ja do të vazhdojë mbikëqyrjen e afërt të gjendjes dhe koordinimin e veprimeve me KRU dhe institucionet tjera relevante në tërë vendin.