![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/07/IKSHPK-covid-koronavirus-ne-kosove.jpg)
IKShPK-ja kërkon ndalimin e tubimeve të partive politike
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKShPK) ka kërkuar zbatimin e masave anti-Covid, sidomos tash që është paraqitur edhe varianti i ri i virusit SARS CoV-2.
IKShPK-ja përmes një komunikate ka bërë pesë rekomandime e gati të gjitha prekin më së shumti partitë politike, që tash e disa javë po organizojnë tubime të mëdha me simpatizantë në hapësira të mbyllura.
Në pikën e tretë, IKShPK-ja ka rekomanduar “ndalimin rigoroz të tubimeve, sipas vendimeve në fuqi”.
“Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit, përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në Republikën e Kosovës”, është thënë në komunikatën e IKShPK-së.
Nga nesër (e mërkurë) pritet të shpeshtohen tubimet politike, pasi nis fushata zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Deri më tash, vetëm Inspektorati në Komunën e Prishtinës i ka gjobitur partitë politike, në tetë raste, për shkelje të masave anti-Covid.