IKShPK-ja kërkon nga qytetarët t’i respektojnë masat anti-Covid

21 shkurt 2021 | 15:13

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë t’i zbatojnë masat e institucioneve shëndetësore kundër Covidit.

“IKShPK-ja apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit Covid-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19”, është thënë në apelin e IKShPK-së, raporton “Epoka e re”.

Apeli i plotë i IKShPK-së:

Të nderuar qytetarë!

Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me Covid -19, sot janë raportuar 398 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit.

Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e ngelizhimit të masave.

Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.

IKShPK-ja përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19.

Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.

Andaj rekomandojmë edhe një herë:

  1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
  2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
  3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
  4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
  5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.

IKShPK-ja  vlerëson se këto masa mund të ndërprenë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.

IKShPK-ja apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit Covid-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19.

Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.

Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.

Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Qytetarë të nderuar,

Ju lutemi për kujdes të shtuar!

Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:

Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

Mbani higjienën!

Respektoni distancën!

Mbani në mend:

Fytyra e mbuluar me maskë! duart e pastra! Distanca dhe hapësira e bollshme!

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën!

Respektoni distancën!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar…