IKShPK-ja kërkon nga qytetarët t’i respektojnë masat e reja kundër Covid-19
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka kërkuar nga qytetarët që t’i respektojnë masat e raja të institucioneve për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Në ballafaqimin me pandeminë e COVID-19 këto janë masa të ndërmarra dhe të aplikuara edhe nga vendet tjera dhe të cilat i kanë treguar efektet e tyre. Prandaj, ju lutemi që t’iu përmbaheni të gjitha masave të shpallura dhe të respektoni në përpikëri oraret e lëvizjes të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë”, ka njoftuar IKShPK-ja.
Njoftimi i plotë i IKShPK-së:
QYTETARË TË DASHUR!
Sot ka filluar aplikimi i një cikli të ri të masave parandaluese ndaj përhapjes së COVID-19 në vendin tonë! Duke qenë se këto masa janë në funksion të ruajtjes dhe mbrojtjes së shëndetit tuaj, të familjes dhe popullatës në tërësi, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj në aplikimin e tyre. Në ballafaqimin me pandeminë e COVID-19 këto janë masa të ndërmarra dhe të aplikuara edhe nga vendet tjera dhe të cilat i kanë treguar efektet e tyre.
Prandaj, ju lutemi që t’iu përmbaheni të gjitha masave të shpallura dhe të respektoni në përpikëri oraret e lëvizjes të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Edhe kur dilni në orët e përcaktuara të lëvizjes, ju lutemi të respektoni masat e distancimit fizik dhe të mos qëndroni në grumbuj qoftë edhe në oborret e shtëpive tuaja apo para hapësirave tregtare dhe sporteleve, që të mos rrezikoni veten dhe familjet tuaja!
Të nderuar familjarë të të moshuarve: Ju lutemi kujdesuni për më të dashurit tuaj të moshuar dhe për nevojat e tyre, duke u siguruar që të mos dalin nga shtëpia!
Të dashur qytetarë,
Ju lutemi që t’i përmbaheni të gjitha rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Mbani distancën fizike për së paku 2 metra dhe aplikoni masat e nevojshme higjienike.
Virusi nuk ka këmbë! Mos ia jepni këmbët ju!
NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!
QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!
Ju faleminderit për mirëkuptim!