IKShPK-ja kërkon zbatimin e masave anti-Covid
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka kërkuar nga qytetarët që t’i zbatojnë të gjitha masat për mbrojtjen nga Covid-19
Kjo kërkesë e IKShPK-së ka ardhur pas vdekjes se 14 personave nga Covidi në 24 orët e fundit.
“Të nderuar qytetarë, Duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale me Covid-19, sot kemi regjistruar 14 raste të vdekjeve që është numri më i madh të rasteve të vdekjeve që nga fillimi i vitit. Ngushëllime të sinqerta familjarëve për të gjitha rastet që nuk mundën të fitojnë betejën me Covid-19. Mjekët në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale dhe njerëzore. Numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosë si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave. IKShPK-ja përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19”, është thënë në njoftimin e IKShPK-së, raporton “Epoka e re”.
Po ashtu, IKShPK-ja ka apeluar tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit Covid-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19.
“Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës”, është thënë në këtë njoftim.