IKShPK-ja përsërit thirrjen për zbatim të masave anti-Covid

01 prill 2021 | 15:19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) pas njoftimit të rasteve të fundit të infektuar me Covid-19 dhe rasteve të vdekjeve, ka bërë thirrje për respektim të masave anti-Covid.

“Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me Covid -19, sot janë raportuar 975 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm në Prishtinë janë raportuar 328 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 12 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga Covid-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave. Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore. IKShPK-ja përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19”, thuhet në apelin e këtij instituti.

Sipas IKShPK-së, grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.

“Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës”, thuhet në apelin e IKShPK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar…