IKShPK-ja pranon 15 mijë kite për testim të Covid-19
Tre afaristë shqiptarë që veprojnë në Gjermani, Lazim Destani nga “Ecolog”-u, Remzi Ejupi nga “Eurokoha” dhe Nazim Viqa nga “AWR Abbruch” ia kanë dorëzuar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) një donacion me 15 mijë kite për teste të Covid-19.
Prej këtyre kiteve për testime, 12 mijë do të jenë për Kosovën, 2 mijë për Maqedoni dhe 1 mijë për Preshevën.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se kontributi i donatorëve është përkrahje e madhe për luftimin e pandemisë Covid-19, derisa ka falënderuar profesionistët shëndetësorë për kontributin e tyre në luftën kundër koronavirusit.
“Sot kam kënaqësinë që e pranojmë një donacion të nevojshëm për qytetarët e Kosovës dhe përgjatë kësaj kohe, falënderimi shkon për heronjtë dhe profesionistët për punën në luftimin e pandemisë”, ka thënë Zemaj, raporton “Epoka e re”.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.
Para pranimit zyrtar të donacionit, ata kanë vizituar Qendrën për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ngjitëse në IKShPK, ku nga drejtori i këtij instituti, Naser Ramadani, janë njoftuar për aktivitetin e qendrës gjatë kohës së pandemisë.
Më tutje, ambasadori Heldt, ka thënë se donacioni i sotëm është një kontribut i diasporës në Gjermani, derisa ka përgëzuar institucionet, punonjësit shëndetësorë në Kosovë dhe qytetarët për bashkëpunimin në parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Ndërsa Lasim Destani, Remzi Ejupi e Nazim Viqa, kanë thënë se janë të lumtur për ndihmën e dhënë falë kontributit të tyre dhe të diasporës. Ata kanë theksuar se iniciativa e tyre ishte ndërmarrë që në fillim të pandemisë, porse kërkesat në tregun ndërkombëtarë ishin shumë të mëdha për të siguruar materiale për testim.