IKShPK-ja: Rreziku për depërtimin eventual të koronavirusit në Kosovë mbetet i ulët
Deri më tani në nivel global janë raportuar gjithsej 31.503 raste të konfirmuara me koronavirus.
Në Kinë gjithsej 31.217 raste të konfirmuara me 637 vdekje. Jashtë Kinës janë raportuar 286 raste me një rast vdekje në Filipine. Ndërkaq në Evropë janë raportuar 31 raste.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se rreziku për depërtimin eventual të këtij virusi në Kosovë vazhdon të mbetet i ulët.
“Duke u bazuar në situatën aktuale epidemiologjike, informatat nga terreni, përgatitjet e institucioneve shëndetësore për t’u përballur me rastet eventuale të koronavirus, mungesa e linjave ajrore direkte me Kinën, rreziku për depërtimin eventual të virusit në Kosovë vazhdon të mbetet i ulët. IKShPK, Departamenti i Epidemiologjisë po bënë mbikëqyrjen aktive dhe gjurmimin e rasteve”, është bërë me dije në njoftimin e IKShPK-së.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë publike ka bërë me dije se ka përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri. “Është ngritur shkëmbimi i informatave ndërinstitucionale mes Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar, ShSKUK-së, AUV-së, QKMF-ve, Policisë së Kosovës, FSK-së dhe MAShT-it. Instituti Kombëtar ka rekomanduar të gjitha institucionet shëndetësore, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Policinë e Kosovës, AUV-në dhe punëtorët shëndetësor që të ngrisin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë. Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes duhet të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve (në kohë reale, sa më parë që është e mundshme me mjetin e komunikimit më të shpejtë) në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe drejtpërsëdrejti në IKShPK”, është theksuar në njoftimin e këtij institucioni.
Masat e parandalimit
1. Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes.
2. Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.
3. Shmangia e prekjes së fytyrës dhe mbulimi i gojës dhe hundës me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Hidhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave.
4. Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit.
5. Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.
6. Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.
7. Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë brenda dy javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore.
8. Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.
9. IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt Kinës, nëse nuk e kanë të domosdoshme.
Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me koronavirus në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime dhe për to do të informoheni me kohë.
/Epoka e re/