IKSHPK-ja, thirrje qytetarëve: Vaksinohuni!
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë sërish me mesazh për respektim të masave anti-Covid.
Sipas IKSHPK-së, Kosova po vazhdon të shënojë shtim të rasteve të reja të Covid-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim.
“Fatmirësisht sot nuk është raportuar asnjë rast i vdekjeve nga kjo sëmundje! Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të CoviD-19, sepse pandemia Covid-19 nuk ka mbaruar. IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, ka njoftuar IKSHPK-ja.
Sipas këtij instituti, me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë të dytë dhe të tretë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç; me dozën e katërt, mund të vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar katër muaj nga marrja e dozës së tretë.
“MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen kundër Covid-19”, ka njoftuar IKSHPK-ja.