IKShPK-ja tregon si të mbrohemi nga sëmundjet që barten me ujë të ndotur
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se si mund të mbrohemi nga sëmundjet që barten me ujë të ndotur.
Sipas IKShPK-së, uji i pijshëm duhet të jetë brenda kritereve të përcaktuara sipas rregulloreve në fuqi, në mënyrë që mos të dëmtojë organizmin.
“Uji luan rol të rëndësishëm për organizmin e njeriut. Ndotja e ujit dhe përdorimi i tij ndikon në shëndetin e njeriut. Sot dihet se nga përdorimi i ujit të ndotur shkaktohen më shumë se 200 sëmundje, disa prej të cilave shkaktohen nga ndotja e ujit me jashtëqitje të njeriut ose të kafshëve”, ka njoftuar IKShPK-ja.
Ky institut ka treguar se si duhet të mbrohemi nga sëmundjet që barten me ujë të ndotur.
“Si mund të mbrohemi nga sëmundjet që barten me ujë të ndotur?
• Konsumoni ujë të sigurt/ të dezinfektuar për pije. Në mungesë të tij, vlojeni ujin së paku 10 minuta dhe ftoheni para përdorimit.
• Ruani ujin në enë të pastërta.
• Mos kyçni bunaret në rrjetin e ujësjellësit.
• Lani duart para dhe pas përgaditjes dhe ngrënies së ushqimit.
• Lani duart me ujë të pastër dhe sapun pas përdorimit të toaletit, ndërrimit të pelenës së femijës, kujdesit ndaj personit tjetër si dhe kujdesit ndaj kafshëve.
Uji i pastër – sëmundja larg!”, ka njoftuar IKShPK-ja.