IKShPK-ja u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër Covidit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që nuk kanë marrë vaksinën akti-Covid ta marrin atë.
Përmes një komunikatë për media, IKShPK-ja ka theksuar se vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër Covid-19.
“Vaksinimi zgjon mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar. Vaksinimi parandalon vdekjet dhe komplikimet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital. Vaksinohuni ju dhe të afërmit tuaj”, është thënë në ketë komunikatë për media.
Sipas IKShPK-së, me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti ‘Delta’ me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima.
Ky institut ka theksuar se asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton Covid-19. “Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COvid-19 nga vaksina”, theksohet në komunikatë.
Me tej thuhet se Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave.
“Këto vaksina janë Astra-Zeneca dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që e plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan. Disa po ngurrojnë për t’u vaksinuar sepse frikësohen nga efektet anësore të cilat deri tani në Kosovë kanë qenë minimale por dobia e mbrojtjes nga Covid-19 është shumë herë më e madhe. Nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit. Me vaksinë mbroni veten, familjen, të afërmit, kombin dhe njerëzimin kundër Covid-19”, është thënë në komunikatën e IKShPK-së.