IKShPK-ja u bënë thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër gripit sezonal
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, ndërkohë që javën e fundit, sipas numrit të rasteve të raportuara, intensiteti i gripit është në aktivitetin e lartë të qarkullimit duke e kaluar pragun epidemik.
Kjo rritje rezulton me rritje të fluksit të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore.
Gripi sezonal është sëmundje akute infektive e cila te një numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, ndërsa vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar gripin dhe reduktuar rrezikun.
Duke qenë që sezoni i gripit zgjat edhe për disa muaj, IKShPK u bën thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim moshe që të vaksinohen si masë parandaluese, me theks të veçantë grupeve me prioritet si: Punëtorët shëndetësor; Gratë shtatzëna; Personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të komprometuar; Personat mbi 65 vjeç; dhe Fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç me indikacione shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për këtë sezon 85 000 doza të vaksinës dhe qytetarët mund të vaksinohen në secilën komunë, në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare.
IKShPK u bënë thirrje gjithashtu qytetarëve që të zbatojnë edhe masa të tjera parandaluese si mbajtjen e higjienës personale; Evitimin e kontakteve të afërta me individë të sëmurë; Reduktimin e vizitave të familjarëve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale); Evitimin e vendeve të mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz; Ushqimin e shëndetshëm me shumë vitamina; Aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm; Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi; Konsultimi me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, të cilat duhet të merren vetëm me rekomandimin e mjekut.