IKShPK jep rekomandime pas rastit të parë me virusin e Nilit në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar këtë të mërkurë se është konfirmuar rasti i parë i infeksionit me virusin e Nilit në vend.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, pacienti kishte qëndruar fillimisht në Shëngjin dhe më pas në Ulqin, ndërsa simptomat e para janë shfaqur pas kthimit nga Ulqini.
Aktualisht, pacienti po trajtohet në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Instituti Kombëtar iu bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj mushkonjave, pasi ato janë bartëse kryesore të virusit.
Gjithashtu, përmes disa fotografive të publikuara, IKSHPK ka ofruar informacione të rëndësishme për virusin e Nilit Perëndimor, përhapjen e tij, simptomat, mënyrat e parandalimit, diagnostikimin dhe trajtimin.
Simptomat:
80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma fare.
20% e rasteve shfaqin simptoma të lehta deri mesatare, të ngjashme me gripin, si:
Ethe;
Dhimbje koke;
Lodhje;
Dhimbje trupi;
Dhimbje të kyçeve;
Vjellje;
Dhimbje në sy;
Rrash (skuqje e lëkurës);
Rreth 1% e rasteve zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes, që mund të përfshijnë:
Encefalit (inflamacion i trurit);
Meningjit (inflamacion i membranave rreth trurit dhe palcës kurrizore);
Paralizë;
Disa raste mund të jenë fatale, sidomos tek personat e moshuar apo ata me sistem imunitar të dobësuar.
Parandalimi i sëmundjes përfshin shmangien e pickimeve nga mushkonjat përmes përdorimit të repelentëve, mbajtjes së rrobave mbrojtëse dhe eliminimit të vendeve ku mushkonjat mund të shumohen (ujëra të ndenjur).
Ethet e Nilit Perëndimor janë të zakonshme në rajone të ndryshme të botës, përfshirë Afrikën, Evropën, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Veriut.