IKSHPK kërkon kujdes pasi temperaturat e larta po rikthehen
“Temperaturat e larta që mbretërojnë në sezonin e verës ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut, sidomos te të moshuarit. Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit përcjellë me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në pamjaftueshmëri renale”.
Kështu thotë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ndërsa rekomandon edhe disa masa mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike.
1. Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00 , sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet;
2. Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelta;
3. Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji; poashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale;
4. Përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial;
5. Paraqitja e kokëdhembjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharjes së gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarin, sidomos kur është i sëmurë dhe ka paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të lajmërohet tek mjeku i tij familjar ose në qendrën më të afërt emergjente;
6. Anëtarët e familjes, miqtë, fqinjët dhe anëtarët e OJQ-ve të cilët kujdesen për të moshuarit gjatë muajve të nxehtë të verës duhet doemos më shpesh të kontaktojnë me të moshuarit, e në raste të paaftësive funksionale edhe disa herë gjatë ditës;
7. Në rast se del jashtë shtëpisë/banesës ku jeton, i moshuari duhet detyrimisht të bartë me vete të dhënat elementare, emrin dhe mbiemrin, vitin e lindjes, adresën e banimit, numrin e telefonit të personit kontaktues, i cili mund të kontaktohet lidhur me këtë person të moshuar;
8. Më e rëndësishmja është mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të ambientit të të moshuarit, si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë të rregullt;
9. Është i domosdoshëm aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarit, sidomos ecja e vazhdueshme në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje, qëndrimi sa më i gjatë në natyrë (park, shëtitore etj).
10. Nëse i moshuari ka vështirësi për të lëvizur për shkak të pamjaftueshmërive funksionale, atëherë duhet bërë ajrosjen shumëorëshe të hapësirave ku qëndron i moshuari.