IKSHPK udhëzon qytetarët se si të mbrohen nga rriqrat
14 maj 2020
| 23:25
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të evitojnë qëndrimin në kohë të gjata nëpër fusha e livadhe si pasojë e situatës endemike me ethe hemorragjike Krime-Kongo.
Disa komuna në Kosovë, përveç përballjes me pandeminë Covid-19, kanë raportuar për raste të pickimit nga rriqrat. Instituti bën të ditur se është duke përcjell me kujdes situatën dhe se ka filluar dezinfektimi selektiv në komunën e Malishevës.
Po ashtu IKSHPK ka publikuar disa udhëzime për mbrojtje:
- Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,
- Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,
- Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),
- Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,
- Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,
- Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,
- Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),
- Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,
- Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë.