IKShPK: Uji i liqenit të Badocit të mos përdoret për pije
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka rekomanduar që uji nga Liqeni i Badocit të mos përdoret për pije, por vetëm për pastrim.
Kjo pasi, sërish në analizimin e mostrave të marra nga ky liqen janë vërejtur nivele të ngritura të manganit.
Edhe vitin e kaluar, IKShPK-ja kishte rekomanduar mospërdorimin për pije të ujit të Badocit, për shkak të ngritjes së vlerave të manganit.
Ky institut tha se paraqitja “e fenomenit” të manganit në Badoc është dukuri e vazhdueshme, që ndodh “kryesisht në kohën e ndërrimit të stinëve”.
“Të dhënat e analizave të bërë dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake, si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKShPK-ja për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, ka njoftuar IKShPK-ja.
IKShPK-ja ka publikuar një hartë të zonave që furnizohen me ujë të pijes nga liqeni i Badocit. Ndër to janë disa lagje të Prishtinës, sikurse Matiqani, Aktashi, Bregu i Djellit, e lagja e spitalit, por edhe Graçanica.
Instituti ka thënë se pavarësisht se mangani konsiderohet lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, vlerat e larta të tij në ujë të pijes mund të kenë ndikim të dëmshëm në shëndet, “e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç”.
IKSHPK-ja po ashtu i ka kërkuar ujësjellësit rajonal “Prishtina” që të kontrollojë procesin e dezinfektimit të ujit, të përcjellë gjendjen e ndotjes organik dhe të pastrojë rrjetin e shpërndarjes, pra të gypave.