IKSHPK: Uji në Drenoc të Deçanit është i papijshëm
Uji në fshatin Drenoc në Komunën e Deçanit në Kosovë është i papijshëm, pasi në ujëmbledhësin atje janë gjetur vlera të shtuara të baktereve koliforme dhe E.coli, bëri të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Qytetarë të shumtë nga rajoni i Deçanit, që nga fundjava e kaluar, janë duke raportuar simptoma të helmimit.
Derisa shkaktari nuk është përcaktuar ende, komuna ka shpallur gjendje emergjente.
IKSHPK është duke kryer analiza të vazhdueshme të ujit, ndërsa disa mostra të pacientëve të helmuar është thënë se do të dërgohen për testim jashtë Kosovës.
Në njoftimin për media të lëshuar të premten, IKSHPK-ja tha se në mostrat e ujit të ujësjellësit të datës 13 korrik nga rajoni i Deçanit, “janë identifikuar disa baktere jopatogjene” dhe se ato “mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm”.
Deçani furnizohet me ujë nga ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”.
“Hidrodrini” furnizon me ujë edhe komunat: Pejë, Istog, Klinë dhe Junik.
Në një deklaratë më 13 korrik, “Hidrodrini” ka porositur qytetarët që furnizohen nga ky ujësjellës, që të mos kenë dyshime në cilësinë e ujit.