IKU EDHE NJË POET I REVOLTËS
Mërgim Bekteshi
Fluturoi edhe një shtërg i fundit do të mund të parafrazonim Lasgush Poradecin dhe ky shtërg në letërsinë shqipe padyshim është Adem Gashi, poet, prozator dhe eseist i rryer. Nuk do të ikte nga kontinenti i vjetër me pahir, por nga një gjendje e rënduar shëndetësore që do ta merrte me shpejtësi, me më pak vuajtje, sepse kishte vuajtur mjaftueshëm në jetën e tanishme, fizike e metafizike.
Janari, muaj që mbahet mend për ikjen e shumë figurave të shquara këndej dhe andej kufirit, tanimë ka një listë të gjatë të personaliteteve që kanë mbyllur sytë në ditët a netët e tij dhe kanë ikur në amshim. Ikjen e Ademit me aq shpejtësi do të ilustroja me vargjet e tij: Ti do të vish, do të kthehesh një ditë/një ditë do të ikim bashkë për s’di se ku/se ku mund të na shohin vetëm perënditë/perënditë hutuar mrekullie tutje-tehu. Vargje që flasin për një epilog hakmarrës, por që nuk gjejnë motiv dhe shkak për hakmarrje. Një jetë të tërë iu përkushtua vargut, vargut standard dhe vargut dialektor të shqipes, të cilën e zotëronte me përgjegjësi, sidomos të folmen e Drenicës, me të cilën meseletë i shushuriste ngadalë kur dëshironte ta gozhdonte injorancën, por i tillë ishte Ademi, të pëlqente apo jo i thoshte ashtu si vargun: pa çka/burri edhe liget/kur vetmon përmallshëm me hijet.
Në të vërtetë e kam çmuar vargun e tij poetik në krahasim me zhanret e tjera që ai krijoi në letërsi. Për herë të parë e njoha përmes librit, para luftës më kishte rastisur të kisha librin me poezi “Realiteti objektiv” dhe pastaj e kisha takuar në një orë letrare në Drenas (Gllogoc) në sallën e Shtëpisë së Kulturës apo në kinema, nuk e di se si quhej saktë. Një fjalim i tij, që për herë të parë e dëgjoja, shprehur në gjuhë standarde dhe në dialektin gegë, më bëri përshtypje. Ndoshta meqë isha mësuar që prezantimet, fjalimet a shkrimet e intelektualëve në publik, në radio, në televizion dhe në gazeta t’i dëgjoja e t’i lexoja të shprehura në një gjuhë më të unifikuar, por ky bashkë dyzim interesant më bëri përshtypje, gjuha e nënës po zinte vend edhe në eseistiken shqipe.
Kjo mënyrë e të shprehurit, herë e përmallshme e herë me ndonjë mllef, padyshim edhe me nota të larta për dashurinë, e bënë poezinë e tij të gjithanshme, ajo tejkaloi vijat e normave duke u bërë më e lirë, sepse robëria e mundonte Ademin.
Një studiues i letërsisë shqipe, në lamtumirën e fundit që i bëri Ademit tha se ai ia kishte mësuar atij se si ta shkruante poezinë, ndërsa tani e lexonte me ëndje. Nuk më bëri përshtypje se kush dhe si e ka mësuar Ademin të shkruajë poezi, mendoj se Ademi kishte lindur poet dhe pak kush mund t’i ndihmonte atij e t’i mësonte se si shkruhej poezia. Që në nismat e para ai kishte thyer heshtjen se si të shkruhej poezia, aq më pak për rregullat që kishin burimin nga teoritë e ngatërruara dhe përpjekjet e shkollës standarde për të ndjekur kursin e saj të përpikërisë. Adem Gashi iku në përjetësi, por vargu i tij trumbeton aq fort për atdheun, për dashurinë dhe për gjithçka tjetër. Prehu në paqe poet! Kur gjithçka të katandiset, poezia mbetet e përhershme, e përmallshme dhe lexohet me ëndje.